Artan Lame ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër. Ai humbi jetën pas daljes nga gjendja e komës. Lame ka qenë zyrtar i lartë i shtetit shqiptar si zëvendësministër apo drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve.
Pasioni i tij i rrallë ishte historia dhe renditet një ndër koleksionistët më të mirë të vendit. Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga Qyteza e Kolonjës, Artan Lame la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik. Në vitet 2000-2002 ishte numri 2 i Bashkisë Tiranë.
Mes botimeve:
Rubrika e përjavshme “Shqipni e harrume” në revistën “JAVA”, (2005-2013).
Rubrika e përjavshme “Shqipni tavolinash” në gazetën “SHQIP”, (2006-2013).
TIRANA në kartolina deri më 1944, (grup autorësh) Tiranë 2000.
Medaljet shqiptare (1914-1944) vëllimi l, Tiranë 2010.
Medaljet shqiptare (1945-2002) vëllimi ll, Tiranë 2010.
TIRANA, Planin, Building, Living, (grup autorësh), Wien 2011.
Princi i Shqiptarëve, Tiranë 2011
Piramida e Tiranës (bashkarisht me Ardian Klosi), Tiranë 2011.
Ekspozita:
UNIFORMA SHQIPTARE. Tiranë, 2002.
50 ME PAK. Tiranë, 2011.
ALBANIAN MAPS (bashkëpunim me Artan Shkrelin). Bruksel, 2012.
FLAMUJ SHQIPTARE, Prishtinë, Tetovë, Gjakovë, Durrës, Vlorë, 2012.
TAKIM BOTESH. Tiranë, 2014.
FLAMUJ SHQIPTARE. Korçë, 2016.
Reagoi kryeministri Edi Rama duke e quajtur “të pabesueshëm” lajmin e ndarjes nga jeta të Artan Lames:
I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët.
Me trishtim reagoi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, pas lajmit për ndarjen nga jeta të Artan Lames.
Humbëm Artan Lamen, drejtuesin dhe studjuesin e pasionuar, që kuriozitetin, dijet dhe talentin e tij i vuri në shërbim të ndryshimit, por edhe të rrëfimit bukur të thelbit e tharmit të pandryshueshëm të Shqipërisë. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të shumtë! Paç Paqen e pasosur, Tan!
Ndërsa mesazhi in memoriam i ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ishte:
Ende nuk mund ta besoj se je larguar, miku im i mirë. Ikja jote e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh tek të gjithë ne që patëm fatin të të njohim e të punojmë bashkë, prej shumë vitesh. Faleminderit për gjithçka që ishe, Tan! Forcë familjes tënde! Pa merak për amanetet e trashëgimisë kulturore e historike. U prehsh në paqe!
Institucioni i Kadastrës ka ndarë online, një mesazh ngushëllimi pas lajmit të ndarjes nga jeta të Artan Lames, ish-drejtues i Kadastrës.
Për kolegët dhe bashkëpunëtorët, Artan Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
Gjatë viteve të drejtimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lame u dallua për përkushtimin, vizionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer qytetarëve dhe interesit publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Autoriteti i Dosjeve ngushëlloi edhe bashkëshorten e të ndjerit, Mirela Dhono Lame, e cila është njëkohësisht punonjëse e këtij institucioni.
Humbja është e madhe dhe dhimbja e thellë si për familjen, por edhe për të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan si njeri me integritet, vizion e humanizëm, shkruan Autoriteti i Dosjeve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu:
Lamtumirë Artan Lame! Ngushëllime familjes dhe miqve.
Ngushëllime për familjen dhe miqtë e Artan Lames, ka shprehur edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
E hidhëruar nga ndarja e parakohëshme nga jeta e Artan Lames. Ngushëllime familjes, Mirelës dhe fëmijëve, miqve e shokëve në këtë moment kaq të dhimbshëm për të gjithë! Qoftë i paharruar kujtimi i tij!
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, shkruan:
Lamtumirë miku dhe shoku im i mirë Artan Lame. Do na mungosh shumë.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi shkroi në faqen e saj online:
Shumë i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Artanit. Ngushëllime bashkëshortes, Mirelës, fëmijëve dhe gjithë të afërmit. I paharruar kujtimi i tij.
Po ashtu, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko shprehu ngushëllime.
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të z. Artan Lame, një mik i hershëm dhe bashkëpunëtor i nderuar i Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Artani ishte një nga zërat publikë të veçantë që me pasion dhe entuziazëm kontribuoi në promovimin e historisë monetare dhe trashëgimisë sonë kulturore. Si koleksionist, studiues i njohur i numizmatikës, veçanërisht asaj osmane, dhe i historisë shqiptare.
Veprimtaria dhe personaliteti i Lames, si e thërrisnin shumica e miqve të tij, e bënë një promotor aktiv të ruajtjes dhe studimit të trashëgimisë kulturore. Studimet dhe publicistika e tij përfaqësojnë një pasuri të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Humbja e Artanit lë pas një boshllëk për komunitetin e koleksionistëve dhe studiuesve të medalistikës, numizmatikës dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Në emër të Bankës së Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e vlerësuan dhe bashkëpunuan me të. U prehtë në paqe!”, shkruan Sejko.