Kur Rusia nisi një sulm me 39 dronë në një stacion kompresorësh në perëndim të Ukrainës këtë muaj, Ukraina e ka kuptuar se objektivi i sulmeve ka ndryshuar. Sulmi ka ndodhur më pak se dy javë pasi Ukraina e ka arritur një marrëveshje për të blerë gaz natyror prej Azerbajxhanit, e para e këtij lloji.
Shënjestra e sulmit ishte kritike për importim të naftës prej jugut të Evropës përmes korridorit trans-ballkanik për në Ukrainë. Ky qe vetëm njëri prej shumë sulmeve ndaj infrastrukturës së gazit natyror në Ukrainë këtë vit, ndryshe nga sulmet e kryera tre vitet e fundit në rrjetin e energjisë.
Ukraina në kërkim të gazit
Ky ndryshim e ka detyruar Kievin që të sigurojë importe, përfshirë nga Azerbajxhani dhe indirekt nga Shtetet e Bashkuara. Kompania shtetërore Naftogaz, më e madhja për prodhimin e gazit në Ukrainë, tha se infrastruktura është goditur mbi 100 herë në nëntë sulme të ndryshme ajrore më 2025-ën.
Në muajin shkurt, kur temperaturat mesatare ditore në Ukrainë janë në minus, Rusia e ka goditur këtë sektor ukrainas, duke i pamundësuar ruajtjen e gjysmës së sasisë së gazit. Kështu, Kievi është detyruar të importojë 0.8 miliardë metra kub gaz. Ukraina po përpiqet që t’i mbushë rezervat nëntokësore me kapacitet prej 13.2 miliardë metrash kub para sezonit të ngrohjes. 4.6 miliardë metra kub prej tyre duhet të jenë nga importet.
Oleksandr Kharchenko, drejtor menaxhues në Qendrën për Kërkime në Industrinë e Energjisë, kompani për konsulencë me bazë në Kiev i tha Radios Evropa e Lirë se situata me gazin e brendshëm është “e vështirë, por nën kontroll”.
Sfida më e madhe nuk ka të bëjë me sigurimin e gazit të lëngshëm, por me financimin e tij. Banka Kombëtare e Ukrainës ka vlerësuar në prill se shtetit do t’i duhet t’i shpenzojë 2.9 miliardë dollarë në importet e gazit më 2025-ën.
Pse e shënjestron Rusia sektorin energjisë?
“Infrastruktura e gazit natyror nuk ka qenë shënjestër e sulmeve në vitet e para, por tani gjithçka është lojë”, deklaroi Olga Khakova, analiste e energjisë në Këshillin Atlantik në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Eshtë përpjekje për ta destabilizuar sigurinë energjetike, jo vetëm në Ukrainë, por në gjithë Evropën. Moska synon krijimin e kaosit brenda industrisë së energjisë.
Sulmet e Rusisë në infrastrukturën e gazit natyror të Ukrainës janë intensifikuar prej përfundimit të kontratës ruse për të kaluar naftën në Evropë përmes tubacioneve ukrainase, çështje e kontestueshme edhe në kohë paqeje, më 1 janar të këtij viti.
Volodymyr Omelchenko, drejtor i programeve të energjisë në Qendrën Razumkov, i tha Radios Evropa e Lirë se sulmet synojnë dobësimin e Ukrainës para dimrit.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ruse e kupton qartë se kërcënimi më i madh për Ukrainën këtë dimër është mungesa e gazit natyror, sepse në rezervat e gazit ukrainas momentalisht ka shumë zbraztësi.
Analisti politik me bazë në Kiev, Oleh Saakian, tha se sulmet janë pjesë e një strategjie ruse për të dalë në përparësi teksa zhvillohen bisedimet për paqe.
Ata po tentojnë të krijojnë një sfond të përshtatshëm informativ, propagandistik dhe ideologjik për negociata, i tha ai Radios Evropa e Lirë. Ky nuk është asgjë përveç presionit ndaj popullsisë civile dhe presionit psikologjik ndaj autoriteteve ukrainase.
Gazi i lëngshëm natyror, synim shumë i qartë
Strategjia ruse e ka rritur urgjencën te Kievi që t’i rrisë importet dhe t’i diversifikojë furnizuesit. Përveç Azerbajxhanit, Kievi ka dhënë sinjale se është i interesuar në blerjen e gazit të lëngshëm natyror të Shteteve të Bashkuara, hap i denjë politik teksa presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kthyer këtë lëndë në prioritet dhe i ka bërë thirrje Ukrainës të rimbusojë SHBA-të për ndihmën e dhënë ushtarake.
Andrew Favorov, biznesmen me seli në SHBA, i cili ka punuar gjatë me sektorin e industrisë së gazit në Ukrainë, ka thënë se nënshkrimi i kontratave afatgjata për sigurimin e gazit të lëngshëm natyror prej furnizuesve amerikanë është “synim i qartë” për Kievin, duke marrë parasysh potencialin për përfitime diplomatike.
Ai sugjeroi se Ukraina mund të kërkojë ndihmë financiare prej Korporatës për Financa Zhvillimore, krahu i Uashingtonit për investime, për të siguruar kredi më të favorshme.
Në një deklaratë nisur Radios Evropa e Lirë, ministrja ukrainase e Energjisë, Svitlana Grynchuk, vuri në dukje se Ukraina është në bisedime me kompani amerikane, por nuk dha më shumë hollësi. Megjithatë, konfirmoi se një stacion kompresorësh në Odesë, i sulmuar në gusht është pjesë e infrastrukturës së domosdoshme për të importuar gazin e lëngshëm natyror amerikan prej porteve në jug të Evropës.
Shtetet e Bashkuara janë eksportueset më të mëdha në botë të gazit natyror dhe sasia më e madhe transportohet në botë në formë të gazit të lëngshëm natyror. Eksportet e gazit të lëngshëm natyror amerikan pritet të rriten dukshëm deri në fund të dekadës për shkak të ndërtimit të objekteve të reja për magazinim.
Marrëveshje në proces e sipër
Kompania më e madhe private për energji në Ukrainë, DTEK ka thënë më herët gjatë vitit se është duke negociuar me kompani amerikane për kontrata afatgjata. Kjo kompani ka importuar gaz të lëngshëm natyror prej SHBA-së për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.
Naftogaz ka arritur marrëveshje këtë vit për blerjen e 0.44 miliardë metrave kub të gazit të lëngshëm natyror amerikan prej kompanisë polake të energjisë, Orlen. Hinson Peters, menaxher i komunikimeve strategjike në qendrën për gaz të lëngshëm natyror, grup tregtar amerikan, e konfirmoi se ekziston interes tregtar prej blerësve ukrainas për kontrata afatgjata.
Në të njëjtën kohë, evropianët janë duke i rritur përpjekjet për ta ndihmuar Ukrainën në blerjen e naftës për dimrin e ardhshëm. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka thënë se do të ndajë kredi 580 milion euro për Naftogazin për blerje të gazit natyror.
Norvegjia, furnizuesja më e madhe e gazit natyror në Evropë, është zotuar për ndarjen e 100 milion dollarëve për Naftogazin për qëllime të njëjta. Se sa fonde do t’i duhen Ukrainës këtë vit për t’i përmbushur kërkesat e brendshme për gaz do të varet prej veprimeve të Rusisë, pra nëse Moska do të vazhdojë t’i shënjestrojë me dronë dhe raketa zonat për prodhimin e gazit, ruajtjen e pajisjet për transport./Radio Evropa e Lirë