Bota

14 viktima nga përmbytjet në Itali, guvernatori i Emilia Romanjas: Rindërtim me shpejtësi!

“Duke i marrë parasysh mësimet e mësuara nga tërmeti i vitit 2012, rajoni italian Emilia Romanja do të rimëkëmbet nga përmbytjet shkatërruese, si pasojë e shirave të rrëmbyer”. Kjo u theksua nga guvernatori i këtij rajoni, Stefano Bonaccini, në një dalje për mediat. Numri i viktimave ka shkuar në 14 në Itali.

Nëse ekziston një mësim që ne kemi marrë prej tërmeteve është se në çdo situatë emergjente duhet rindërtuar me shpejtësi. Asgjë nuk do të na ndalë!

Zyrtari italian iu referua bizneseve, turizmit dhe aktiviteteve të tjera në këtë rajon të pasur të Italisë fqinje. Në pamjet që kanë bërë xhiron e botës, rrugët e sheshet e rajonit shihen të mbushura me ujë dhe shtëpitë janë të përmbytura. Më shumë se 15 mijë banorë u detyruan që të largohen nga banesat e tyre e të gjejnë strehim në vende të tjera. Një pjesë e madhe kanë mbetur pa energji elektrike, të tjerë përballen me kufizime në furnizimet ushqimore.

Banorë të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, mes tyre disa të moshuar, shprehen:

Jam shumë e lumtur këtu… por ndihem keq.

Ndoshta jam në mesin e personave më të lumtur… unë ende kam shtëpi, por ka njerëz që kanë humbur gjithçka.

Guvernatori Stefano Bonaccini bëri të ditur se rreth 500 rrugë janë dëmtuar ose shkatërruar në Emilia Romanja. Meteorologët vunë në dukje se shirat e rrëmbyeshëm kanë pasuar një periudhë të thatësirës së konsiderueshme, çka e ka zvogëluar kapacitetin e tokës për të thithur ujin me shpejtësinë e duhur.

Ndërkaq, sa i përket parashikimit të motit në vendin tonë, për sot territori shqiptar parashikohet që të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, kryesisht me kthjellime. Reshje shiu të izoluara do të ketë në mesditë, në relievet e larta malore në verilindje e pasdite në pjesën jugore të vendit. Temperaturat variojnë në vlerat nga 10 në 30 gradë celcius.