Sport

Franca kërkon kualifikimin në Budapest, Gjermania në një tjetër “test zjarri”

Kampionati Evropian “Euro 2020” do të vazhdojë sot me disa përballje tejet interesante, ku i gjithë fokusi do të jetë tek ndeshja mes Portugalisë dhe Gjermanisë.

Gjermanëve iu duhet fitorja me doemos për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën e eliminatorëve, kurse portugezët me fitore sigurojnë kualifikimin tutje.

Ky derbi i takon Grupi F të “Euro 2020”, ndryshe i njohur edhe si “Grupi i Vdekjes”, ku së bashku me Portugalinë e Gjermaninë, në xhiron e dytë do të zhvillohet edhe ndeshja mes Hungarisë dhe Francës.

Është e qartë që dueli me Hungarinë mund të shërbejë shumë, për të qetësuar ekipin dhe për të përmirësuar pozitat e kombëtares gjermane, megjithatë në mënyrë të kuptueshme fillimisht “nationalelf” duhet të shkojë deri aty. Një disfatë me Francën është e pranueshme deri diku, duke pasur parasysh se çfarë përfaqësojnë “blutë”, që paraqiten si favoritët e mëdhenj të këtij evropiani, sidoqoftë për gjermanët do të ishte krejtësisht i papranueshëm një eliminim që në fazën e grupeve, sidomos pas figurës së shëmtuar që bëri ekipi i drejtuar nga Joachim Low në botërorin rus, ku kampionët në fuqi u poshtëruan, duke u shkurorëzuar që në raundin hapës, teksa i mbyllën sfidat në grupe në vendin e fundit, pas Suedisë, Meksikës madje edhe Koresë së Jugut.

Pesë vjet më parë ishin pikërisht francezët që i ndëshkuan “panzer”-at në Marsejë, në fazën gjysmëfinale falë dy golave të realizuar nga golashënuesi më i mirë i evropianit të kaluar Antoine Griezmann, ndërsa këtë radhë mjaftoi autogoli i qendërmbrojtësit Mats Hummels, që shënoi edhe rastin e parë në historinë e kampionateve evropiane kur një futbollist i përfaqësueses teutone dërgon topin në portën e tij.

Autogolin e fundit në një aktivitet madhor e pati shkaktuar në botërorin e Argjentinës në vitin 1978 Berti Vogts, gjithsesi në Mynih vendasit u shfaqën të lexueshëm dhe krejt të pafuqishëm në lojë. Me një trajner më guximtar kampionët në fuqi të botës do të kishin bërë kërdinë, ndërsa nga ana e tyre futbollistët gjermanë vetëm sa mbajtën topin dhe goditën thjesht një herë të vetme në kuadrat. Kaq ishte vërtet shumë pak për 13.000 të pranishmit në “Allianz Arena”, prandaj në Gjermani të gjithë presin reagimin e ekipit të Joachim Low.

Programin e sotëm të Euro 2020 do ta mbyllë ndeshja e Grupit E mes Spanjës dhe Polonisë, ku të dy kombëtareve iu nevojitet fitorja, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën eliminatore.

Programi i plotë të ndeshjeve të sotme në kuadër të fazës së grupeve të “Euro 2020”:

Grupi F 15:00 Hungaria – Franca (Stadiumi Puskas Arena-Budapest)

Grupi F 18:00 Portugalia – Gjermania (Stadiumi Allianz Arena-Munich)

Grupi E 21:00 Spanja – Polonia (Stadiumi La Cartuja-Sevillë).