Aksident hekurudhor tragjik në Greqinë qendrore. Të paktën 32 persona humbën jetën dhe më shumë se 85 u plagosën kur mbrëmë një tren pasagjerësh u përplas me një mallrash në Tempi, pranë qytetit të Larisës. Zëdhënësi i Shërbimit Grek të Zjarrfikësve, Vassilis Vathrokogiannis njoftoi:
Nga 85 personat e lënduar, 53 ende mbeten në spital.
Punonjësit e ekipeve të shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar duke u fokusuar në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris vizitoi spitalet ku u dërguan të plagosurit. Shkaku i aksidentit ende nuk është i qartë.
Një tren pasagjerësh që vinte nga Athina në drejtim për në qytetin port verior të Selanikut u përplas me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, sipas raportimeve fillestare nga zyrtarët e hekurudhave.
Treni i pasagjerëve, “Inter City 62” ishte nisur nga kryeqyteti grek në orën 19:22 (17:22 GMT) të martën në mbrëmje.
Rreth 350 pasagjerë thuhet se gjendeshin në bordin e trenit. Videot e transmetuara në mediat vendase treguan disa vagonë treni të rrënuar në vendin e përplasjes, pranë komunës së Tempit. Një i mbijetuar tregoi:
Një zjarr shpërtheu në trenin e pasagjerëve pas përplasjes. Kishte kaos dhe zhurmë të pabesueshme.
Përplasja ndodhi në një linjë që lidh Athinën me Selanikun, e cila u modernizua gjatë viteve të fundit. Reagoi edhe Sindikata Greke e Drejtuesve të Trenave. Për radion shtetërore, shpjegimet i dha presidenti i Sindikatës, Kostas Genidounias:
Pavarësisht modernizimit, i cili përfshinte tunele dhe ura të reja, si dhe dy shina përgjatë rrugës 500 kilometra, kishte ende probleme të rëndësishme me koordinimin elektrik të kontrollit të trafikut. Ne udhëtojmë nga një pjesë e linjës në tjetrën me radio, ashtu si në kohët e vjetra. Drejtuesit e stacionit na japin dritën jeshile.
Hekurudha e Greqisë, “Hellenic Train”, operohet nga kompania hekurudhore shtetërore italiane “Ferrovie dello Stato Italiane”.