Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “të luajnë rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi”, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qëllimi është t’i hapet rrugë nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim mes Brukselit e Shkupit e për pasojë edhe Shqipërisë, që ka mbetur peng i këtij ngërçi.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se “duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën më gjerësisht, ne shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme”.
Gjithashtu, zëdhënësi theksoi:
Ne përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të sjellë një zgjidhje të suksesshme për të filluar sa më shpejt negociatat zyrtare.
Franca, e cila edhe sot e nesër, mban presidencën e radhës së BE-së, ofroi një propozim kompromisi mes Sofjes e Shkupit. Të premten e kaluar parlamenti bullgar dha miratimin e tij për “propozimin francez”, duke lejuar kështu qeverinë që të heqë veton për avancimin e procesit të integrimit europian të Shkupit. Propozimi francez parashikon ndër të tjera përfshirjen në Kushtetutë të të drejtave të shtetasve bullgarë në Maqedoninë e Veriut, apo dhe mosnjohjen prej saj të gjuhës maqedonase.
Të premten, kryeministri maqedonas Kovaçevski deklaroi:
Propozimi francez, në këtë formë siç është për momentin, është i papranueshëm për mua, për Presidentin e shtetit, për qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”. Një propozim që do të duhej të ishte i pranueshëm duhet të garantojë elementë kyç: formulimin e pastër për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtjen e qartë të identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese.
Bisedimet mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut duhet të fillojnë para hapjes së procedurës për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjes së bullgarëve, kroatëve e malazezëve në Preambulën e Kushtetutës.
Ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, bëri të pamundur edhe të premten e kaluar një vendimmarrje të krerëve të shteteve të Bashkimit Evropian për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, mes Brukselit dhe dy vendeve ballkanike. Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre, në mënyrë të përsëritur, kanë nxitur Brukselin për të ecur më tej në marrëdhëniet me Tiranën dhe Shkupin.
Në komentet e tij për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, nënvizoi:
SHBA-të janë mbështetës të fortë të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është pikërisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësi, duke shtuar se “ne marrim parasysh shumë deklarata të liderëve të BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe sigurinë tonë kolektive. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hedhur themelet dhe tani është koha për t’i çuar ato përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit.