Kandidati i Bashkë Fitojmë për Tiranën Belind Këlliçi, është paraqitur për të votuar në qendrën e votimit në Shkollën “Dora d’Istria”. Pasi ka votuar, Këlliçi ka dhënë deklaratë për media, ku ka ftuar të gjithë qytetarët, në veçanti rininë të votojnë e të sjellin ndryshimin në vend.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke theksuar se sot është dita e ndryshimit.
Sapo kreva detyrën si qytetar, votova. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të shkojnë në qendrat e votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetarë. Ftoj të rinjtë, ata mijëra e mijëra qytetarë që kam takuar dhe kemi folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe. Sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë të gjithë. Kam një apel sidomos për të rinjtë, për naçut e Tiranës, për të gjithë vajzat, djemtë që kanë një moment kur mendojnë se mund të ikin nga vendi. U them hajdeni votoni që të ndryshojmë qytetin. Për të gjithë ato shpresa që janë shuar në këto tetë vite, dilni dhe votoni. Mos harroni, askush nuk u kontrollon votën. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë me ndërgjegje të pastër, të votojnë për të ardhmen e tyre. Dilni e votoni masivisht, sot është dita e ndryshimit.