Aktualitet Politikë

Berisha voton për kreun e PD-së dhe krahason zgjedhjet me procesin për presidentin!

Sali Berisha dhe bashkëshortja votuan në selinë e Partisë Demokratike në zgjedhjet për kryetarin e ri të kësaj force politike opozitare, ku ish-lideri është në garë për t’iu rikthyer drejtimit dhe të vetmin rival ka Ibsen Elezin, ish-kryetar i PD-së në Kukës. Pasi hodhi votën, Berisha u shpreh se “krahasuar me procesin mafioz të zgjedhjes së presidentit, këto zgjedhje në PD janë shumë të rëndësishme për vendin”. Më tej, shtoi se “në to, shqiptarët shohin dritën e shpresës për të ardhmen”.

Ky është një proces historik sepse është një proces që zhvillohet paralel me një proces mafioz dhe antikushtetues, ai i zgjedhjes së presidentit të Republikës. Eshtë mafioz dhe antikushtetues sepse bazohet mbi grabitjen e vullnetit të votës së shqiptarëve dhe kolaboracionizmit të shpifur të Edi Ramës me pseudo-opozitën. Pra, sot në këtë proces mbarëshqiptar, shohim dritën e shpresës për të ardhmen!

Në selinë blu votoi edhe Ibsen Elezi, i cili dha një prononcim për gazetarët. I pyetur mbi deklaratën e Berishës se “sot në këtë proces mbarëshqiptar shohim dritën e shpresës për të ardhmen”, Elezi deklaroi:

Drita e së ardhmes nuk është as Doktori, as unë, por demokracia në këtë vend. Individët nuk janë drita e diellit, jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë!

Elezi theksoi se nuk do të tolerojë parregullsi:

Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit, do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do jenë korrektë, nuk do ta toleroj!

Kujtojmë se me herët, Ibsen Elezi bëri kërkesë për shtyrjen e procesit të zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike. Elezi kërkoi që zgjedhjet të mos mbaheshin sot, pasi siç theksoi “ka vënë re një serë shkeljesh statutore dhe ligjore në këtë proces”. Sipas tij, në “PD nuk u zbutua asnjë nga elementët e primares dhe debatit, teksa shtoi se ka pasur defekte të renda me listat”.