Bota Tech

Blerja e Twitter-it, Elon Musk vendos kushte!

Miliarderi Elon Musk njoftoi sot se “oferta e tij prej 44 miliard dollarësh për blerjen e rrjetit social Twitter, nuk do të finalizohet nëse nuk vërtetohet se llogaritë fiktive përbëjnë pesë për qind të llogarive totale në platformë”.

Oferta ime u bë duke besuar se shifrat e Twitter-it ishin të sakta. Një ditë më parë, shefi ekzekutiv i Twitter-it refuzoi të tregojë me fakte se nën pesë për qind e llogarive, janë fiktive. Kjo marrëveshje nuk mund të finalizohet nëse ai nuk e fakton një gjë të tillë.

Pas pezullimit të ofertës për një afat të shkurtër kohor, Musk deklaroi se dyshon që llogaritë fiktive në këtë rrjet social përbëjnë 20 për qind të totalit të përdoruesve, në krahasim me pretendimet e Twitter-it për pesë për qind.

Ju nuk mund të paguani të njëjtën shumë për diçka që paraqitet shumë më keq nga sa pretendohet.

I pyetur nëse marrëveshja mund të arrihet me një çmim tjetër, i pranishëm dje në një konferencë në Amerikë, Musk u shpreh se “nuk përjashton gjë”.

Sa më shumë pyetje që drejtoj, aq më tepër më rriten shqetësimet. Pretendojnë se kanë metodologji komplekse që vetëm ata e kuptojnë. Nuk mund të jetë aq misterioze e më komplekse se shpirti dhe qenia njerëzore apo diçka e ngjashme.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Twitter, Parag Agrawal, bëri të ditur dje se “vlerësimet e brendshme për llogaritë fiktive flasin për shifrën nën pesë për qind”. Megjithatë, ai vuri në dukje se “raportet nuk mund të nxirren në publik”, pasi “për të verifikuar nëse një llogari është ose jo fiktive, nevojiten informacione publike dhe private”.

Musk nuk ra dakord me këtë deklaratë.

Atëherë, si ta dinë reklamuesit se çfarë po marrin mbrapsht për paratë e hedhura? Kjo gjë është thelbësore për shëndetin financiar të Twitter-it.

Kujtojmë se aktualisht, Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej më shumë se 269 miliard dollarësh, referuar publikimeve të revistës Forbes.