Lancio Music

Bob Dylan shet katalogun me 600 këngët e tij

Bob Dylan ka shitur të gjithë katalogun e këngëve të tij, i cili përfshin më shumë se 600 këngë për 60 vjet. Shitja është kryer në një “marrëveshje historike” me Universal Music Publishing Group.

Këtë të hënë u njoftua marrëveshja midis Dylan dhe kompanisë. Është një ndryshim i madh për këngëtarin dhe autorin e këngëve, i cili ka kontribuar në to pjesën më të madhe të jetës së tij.

Edhe pse kushtet financiare nuk janë bërë të ditura, sipas burimeve nga “New York Times” shkruhet se ky katalog vlerësohet në më shumë se 300 milionë dollarë.

“Të përfaqësosh trupin e punës së një prej kompozitorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, rëndësia kulturore e të cilit nuk mund të mbivlerësohet është njëkohësisht një privilegj dhe një përgjegjësi”, -ka thënë CEO i Universal Music Publishing Group, Jody Gerson.

Ndërsa Sir Lucian Grainge i Universal Music Group ka shtuar se nuk “është sekret që arti i shkrimit të këngëve është çelësi themelor për të gjithë muzikën e shkëlqyer, as nuk është sekret që Bob është një nga praktikuesit më të mëdhenj të këtij arti”.

“Të shkëlqyera dhe prekëse, frymëzuese dhe të bukura, depërtuese dhe provokuese, këngët e tij janë të përjetshme, qofshin ato të shkruara më shumë se gjysmë shekulli më parë apo dje”, -ka përfunduar Grainge.

Dylan, 79 vjeç, njihet për këngët e tij të famshme si “The Times They Are a-Changin ‘”, “Like a Rolling Stone” dhe “Mr. Tambourine Man”.

Ndërkohë në fillim të këtij viti, ai publikoi këngën e tij të parë në tetë vjet të titulluar “Murder Most Foul”.