Rajoni

Borrell: 21 nëntori s’duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat!

“Mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vitet e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve”, tha në një konferencë për media, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, duke theksuar se “do të kemi situatë të rrezikshme”.

Borrell tha më herët gjatë ditës se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]”, tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel.

As pas takimit, ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falënderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku shumica janë  serbë dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ndërsa Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan edhe për ndikimin që ka pushtimi rus i Ukrainës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për procesin e zgjerimit të BE-së.

Diskutimi vjen në prag të një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.

Po ashtu u diskutua edhe për krizën energjetike në Ballkanin Perëndimor, si dhe për asistencën që blloku është duke ua ofruar vendeve të këtij rajoni në këtë aspekt.

BE përsëriti thirrjet për angazhimin konstruktiv të palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të ulen tensionet.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për këtë qëllim qysh në vitin 2011. Dy vendet kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.

Të premten e kaluar, Borrell takoi ndarazi në Paris kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas këtyre takimeve, ai u bëri thirrje serbëve të veriut që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të vazhdojnë t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre.

Ai kërkoi nga dy palët që të gjejnë zgjidhje urgjente për krizën aktuale, ndërsa nga Kosova kërkoi edhe nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Këto obligime, që dalin nga procesi i dialogut, mbeten të vlefshme dhe obliguese”, tha Borrell.

Në BE, disa diplomatë pranojnë se nuk janë të kënaqur me ecurinë e deritashme të dialogut dhe përgjegjësinë për ngecje dhe rritje të tensioneve ua bartin Beogradit dhe Prishtinës.

Pritjet kanë qenë që pas takimit të fundit midis Kurtit dhe Vuçiçit, që është zhvilluar më 18 gusht në Bruksel, të ketë më shpesh takime të tilla, së paku një herë në muaj. Por, nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parashikon qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Komuniteti ndërkombëtar, gjithashtu, i ka intensifikuar thirrjet për Kosovën që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë. Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, kërkon që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.