Fundjava e fundit e muajit korrik ka shënuar një fluks rekord në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, me mijëra qytetarë të Kosovës që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, nga data 25 korrik, ora 05:00, deri më 26 korrik, ora 08:30, në territorin shqiptar kanë hyrë 45 518 shtetas të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithashtu 12 790 automjete që kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë.
Autoritetet kufitare bëjnë me dije se rritja e ndjeshme e lëvizjeve lidhet me afrimin e muajit gusht, periudhë kur nis kulmi i sezonit turistik dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës dhe diasporës zgjedhin bregdetin shqiptar apo destinacionet turistike malore.
Fluksi në Morinë pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim, ndërsa strukturat e Policisë Kufitare janë në gatishmëri për të menaxhuar rritjen e numrit të udhëtarëve dhe automjeteve.
Për të lehtësuar qarkullimin, vijon zbatimi i marrëveshjes për kalimin pa kontrolle për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa për automjetet me targa të huaja aplikohen procedura të përshpejtuara.