Brukseli zyrtar e propozoi lëshimin e “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Europian, gjatë sezonit veror të këtij viti, por tani topi i kalon Bllokut. Javën e ardhshme ky propozim do të diskutohet në samitin e liderëve të BE-së. Sipas skemës së Komisionit Europian, pasaportat e udhëtarëve duhet të kenë vërtetimin për vaksinimin kundër koronavirusit, testimin negativ për COVID dhe se personi është negativizuar nga koronavirusi. Siç sqaroi presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen:
Britanikët nuk përfitojnë direkt por mund të aplikojnë për një pasaportë të tillë nga vendi i caktuar i Bllokut që synojnë të vizitojnë.
Por planet për pasaportën e gjelbër anti-COVID nuk i kanë bashkuar liderët europianë. Në krye të tyre janë vënë vende si Spanja e Greqia që mbështeten shumë te sektori i turizmit dhe kërkojnë shmangien e karantinave apo kërkesave mbi paraqitjen e testit negativ për koronavirus. Ndërkaq, të tjerë anëtarë përfshirë Francën shprehen skeptikë duke argumentuar se do të ishte e parakohshme e diskriminuese të përdoren të tilla pasaporta kundër koronavirusit kur shumica e 450 milionë qytetarëve të BE-së nuk janë vaksinuar ende.
Ndërkohë, nëse pasaporta merr OK-ein e liderëve të Bllokut duhet të miratohet dhe nga eurodeputetët që të hyjë në fuqi. Në rast se kjo ndodh, pasaportat anti-COVID do të jenë falas, por Komisioni Europian nënvizoi se:
“Të jesh i vaksinuar nuk përbën parakusht për të udhëtuar pasi të gjithë qytetarët e BE-së gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë”.
Po ashtu, ekzekutivi europian zotohet të garantojë nivel të lartë të mbrojtjes së të dhënave personale. Gjithashtu do të lëshohen në format digjital nëse konfirmohen planet e Brukselit për t’i mundësuar.
Burimi: “Daily Mail”