Rajoni

Dështimi i takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, DASH i zhgënjyer!

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në raundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Dje në Bruksel dështoi takimi Kurti-Vuçiç e sipas BE-së ishte kryeministri i Kosovës që nuk e pranoi propozimin për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Vuçiç po.

Presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve e që arritën më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog e me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Do të konsultohemi me partnerët tanë europianë për hapat e ardhshëm. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, një ditë më parë u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Unionit, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi që në axhendë kishte zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat. Borrell u shpreh:

Kurti nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç e pranoi. Kurti këmbënguli që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Por, Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave serbe.  Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit.

Në konferenca të ndara për media, Kurti e Vuçiç akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi. Kryeministri i Kosovës tha se “kushtëzimi i Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiçit, “Kurti thjesht i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.