Aktualitet

Dhunoi e kanosi me armë gruan dhe fëmijët, pranga 53-vjeçarit në Gramsh/Iu gjet arsenal armësh!

Sekuestrohet arsenal armësh në Gramsh, në pranga një 53-vjeçar që u denoncua nga familjarët. Ndërhyrja e policisë në fshatin Grabovë e Sipërme parandaloi një ngjarje të rëndë në familje. Për motive të dobëta,  i arrestuari dhunoi fizikisht e kanosi me armë zjarri bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa rezulton me precedentë të mëparshëm për vjedhje, narkotikë e armëmbajtje pa leje. Në banesë iu gjetën e sekuestruan pesë armë zjarri, një gjahu dhe municion luftarak.

Njoftimi zyrtar:

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Grabova”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Elbasan. Kanosi me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe fëmijët, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal.

Policia gjen në banesën e kësaj familjeje dhe sekuestron një arsenal armësh të përbërë nga pesë armë zjarri, një armë gjahu dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas njoftimit se një shtetas që banonte në fshatin Grabovë e Sipërme, kërcënonte bashkëshorten dhe fëmijët se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë.

Bazuar në informacionin e marrë për shtetasin që posedonte armë, në ndihmë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh kanë shkuar dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale në familje.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grabova”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. S., 53 vjeç, banues në fshatit Grabovë e Sipërme, Gramsh, me precedent të mëparshëm kriminal, në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e vjedhjes.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri, për motive të dobëta.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.