Aktualitet

Ende pa zgjidhje, pedagogët: Të mërkurën në grevë urie!

Pedagogët vijuan sërish sot protestën për plotësimin e kërkesave të tyre, përfshirë rritje të pagave, ndërsa paralajmëruan grevë urie nëse ato nuk iu merren parasysh. Ndërsa protesta u mbajt në sheshin përpara Universitetit Politeknik në Tiranë, kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se qeveria ka dhe dy ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave të parashtruara, ndryshe të mërkurën ata hyjnë në grevë urie.

Ne këtë betejë e kemi filluar prej tre vitesh, por e kemi intensifikuar dy muajt e fundit. Qeveria ka treguar se nuk ka veshë për të dëgjuar problematikat tona apo sy për të parë gjendjen e universiteteve tona. Ofron gjithmonë zgjidhje makiazh pa e shoqëruar me vendime konkrete. Së fundmi është vënë me initimidim dhe presione që të shuhet kauza jonë e drejtë. Është propozuar që të kalohet në formën e grevës së urisë dhe që në këtë fazë mund të ndërgjegjësojë opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar që të dëgjohet kauza jonë.

Aleksandër Kovaçi u shpreh:

I lëmë kohë qeverisë deri të mërkurën për të gjetur zgjidhje. Në të kundërt të gjithë të mërkurën të jemi këtu në orën 16:00 për solidarizim ndaj të gjithë atyre që kanë marrë përsipër këtë akt sakrifice.

Pedagogët dhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve prej dy javësh kanë bojkotuar mësimin në shenjë proteste për zgjidhjen e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se nuk ka rritje të pagave, teksa na pret dimër i vështirë.

Në peticionin e firmosur nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës kërkohet rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës akademik e administrativ. Në peticion propozohet të arrihet niveli i pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30 % në tetor 2022 dhe 20% në tetor 2023, rritjen e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3% e GDP, më 2023.