Aktualitet

Pedagogët vazhdojnë protestat, Rama rikthekson: Nuk ka rritje të pagave!

Edhe sot nga Fieri, kryeministri Edi Rama përsëriti se pagat e pedagogëve janë rritur më shumë. Në takimin e zhvilluar me fermerët në Kafaraj, Rama tha se “me përjashtim të Policisë së Shtetit, të një pjese të punonjësve të bazës, askujt nuk i janë rritur pagat sa i janë rritur pedagogëve”.

E çfarë duan ata? 7% ia rriti qeveria, 8% e rritën vetë se janë autonomë e kërkojnë sërish. Shumica e pedagogëve janë në auditore. Ka fakultete të tëra që nuk e kanë ndërprerë mësimin asnjë sekondë, në asnjë klasë. Pasi këta janë një pakicë në drejtimin e një figure të SHIK-ut që e thotë edhe me krenari. Le të jetë krenar për SHIK-un, sa të dojë! Dhe të një grushti, të një grupi që nga foltorja del në dyert e universiteteve sikur brenda bëhet nami.

Natyrisht, që rritja e pagave nuk është e mjaftueshme për të thënë rrini të qetë e mos kërkoni, sepse nuk ka për të ndenjur të qetë e të mos kërkojnë, ndërkohë që lufta ka sjellë një inflacion që të godet.

Pedagogët kanë bërë të ditur se të hënën, më 24 tetor, sërish do të ketë protestë kombëtare, duke theksuar se pritet bojkot deri në plotësimin e kërkesave drejtuar qeverisë, mes tyre edhe ajo për rritje page. Protesta e pas dy ditëve është lajmëruar të nisë në orën 11:00 para Universitetit Politeknik të Tiranës. 17 tetori ishte dita e fillimit të vitit të ri akademik 2022-2023.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se protesta duhet të vazhdojë që universiteti të mos shkojë drejt greminës.

Situata aktuale është që gjendja e universiteteve me këtë lloj financimi të kërkimit shkencor, me këtë lloj nënvlerësimi të këtij sektori nga qeveritë, përfshirë rëndimin e kësaj situate me qeverinë aktuale, këtu do përfundojë, me universitete që bien gjithnjë e më poshtë. Do ngelemi pa studentë. Sot është momenti pa kthim për të ndjekur protestën tonë, që të bëhet diçka për universitetet që të mos shkojnë drejt greminës.