Rajoni

Firmoset marrëveshja mes Malit të Zi e Kishës Ortodokse Serbe!

Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmon se u firmos Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Akordi përfshin rregullimin e marrëdhënieve me institucionin fetar, me seli në Beograd. Gjithçka u krye në fshehtësi të plotë. Vila Shtetërore Gorica, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore u blindua nga masa të rrepta sigurie nga policia. Në mëngjes, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periç shkoi në kryeqytetin malazez.

Qeveria e Malit të Zi e pati miratuar më 8 korrik, Marrëveshjen Themelore për marrëdhëniet ndërmjet Podgoricës zyrtare e Kishës Ortodokse Serbe. Dokumenti përmban detyrimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kishës, duke i mundësuar eksterritorialitetin e objekteve fetare. Po ashtu, në disa fusha i jepet status ligjor i barabartë me institucionet shtetërore. Për akordin ka shumë kontestime në vendin ballkanik.

Në një postim në Twitter, Abazoviç shkruan:

Eshtë nder dhe kënaqësi që m’u dha mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze.

Në llogarinë e tij në Instagram, patriarku Porfirije shkruan: “Lavdi Zotit!”.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit, e që njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviçit.

Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re. DPS-ja e Gjukanoviçit, si partia më e madhe në Parlament, deri tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviçit. Gjithashtu, i dha mbështetjen e nevojshme në Parlament për funksionimin e saj.

Partia pro-serbe dhe pro-ruse, Fronti Demokratik, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është produkt i luftës së tyre të vazhdueshme politike për të drejtat e serbëve e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Kjo parti ia ka bërë të qartë Abazoviçit se marrëveshja me Kishën është çështja më e rëndësishme.

Ne e bëmë këtë pa kompromis, gjë që përfundimisht rezultoi në aktin e sotëm të nënshkrimit.