Aktualitet Politikë

Dhuna e fisit Rraja, Rrahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit: Dështova si prind!

Deputeti i PS, Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen pas dhunës së Fisit Rraja për guroren. Në një njoftim publik thotë se ndihet i turpëruar nga fëmija i tij, të cilit i bën thirrje që të dorëzohet para drejtësisë. Rraja i kërkon ndjesë të gjithë kolegëve të grupit parlamentar dhe votuesve që e emëruan kryetar komune dhe i dhanë 2 mandate si deputet.

Me një kërkim ndjese për viktimat e dhunës, i uron vetes forcë që të përballojë dhimbjen për të shlyer turpin që i biri i la mbi shpatulla. Një ndjesë publike bëri edhe për kreun e qeverisë, për të cilin thotë se s’kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktoi.

“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, njoftoi deputeti i PS.

Deri tani ka shkuar në 8 numri i personave të shoqëruar dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, si dhe shkon në 6 numri i shtetasve të shpallur në kërkim. Edhe Policia e Shtetit i bëri thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, vëllait dhe djalit të deputetit si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.

Dorëheqja vjen dy ditë pas dhunës barbare që anëtarë të fisit Rraja, mes tyre dhe djali dhe vëllezërit e deputetit Rraja dhunuan me shkopinj gome dhe bejsbolli dy kushërinj të fisit Maja pasi u ankuan se shpërthimet e gurores po i shkatërronin shtëpitë.

Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.