Aktualitet

Rrahman Rraja dha dorëheqjen, KQZ i jep mandatin socialistit Arkend Balla!

Mandatin e lënë nga Rrahman Rraja, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ ia dha kandidatit vijues në listën e Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, Arkend Balla.

Në mbledhjen e zhvilluar sot, si pikë të parë të rendit të ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte projektvendimin “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kandidatit të listës shumë-emërore të “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Qarku Durrës, z.Arkend Bashkim Balla”.

Arkend Balla ishte i 12-ti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit e mblodhi 2 mijë e 463 vota në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 dhe që u fituan nga PS-ja.

Të shtunën e kaluar, Rrahman Rraja njoftoi dorëheqjen pas ngjarjes në guroren e të afërmve të tij dhe që çoi në dhunimin barbar të dy kushërinjve të fisit Maja. Ata ishin ankuar e protestuar për dëmet që shpërthimet në gurore po i shkaktonin në banesa, në Borizanë të Krujës.

Lidhur me dhunën barbare në një lokal në Fushë Krujë-Thumanë për guroren e Rrajave, të dielën e kaluar, Gjykata e Tiranës la në burg tre nga katër të arrestuarit për goditjet me sende të forta e kërcënimet me armë zjarri ndaj kushërinjve Jashar e Bilbil Maja, që ishin ankuar për aktivitetin e gurores, në pronësi të të afërmve të Rrahman Rrajës.

Pas hekurave mbetën Ineid e Andi Rraja, si dhe Eni Kulla, ndërsa për pronarin e lokalit, shtetasin Kujtim Përdaku u vendos masa “Detyrim për paraqitje”. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Për ngjarjen që çoi në shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi nga kryeministri Edi Rama e zëvendësimin me Taulant Ballën në krye të këtij dikasteri, katër persona të tjerë ende janë në kërkim.