Aktualitet

FMN-ja kërkon heqjen e taksës zero te bizneset e vogla!

FMN-ja i kërkon qeverisë të vijojë me strukturimin e regjimit tatimor për profesionet e lira dhe të heqjes së taksës zero për bizneset e vogla. Në konferencën për shtyp mes misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, shefja e misionit të FMN-së, Anke Weber, vlerësoi arritjet për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale. Por kërkoi të vijohet me heqjen e tatimit zero për profesionet e lira dhe bizneset e vogla.

Ekziston nevoja për të ruajtur përfitimet e arritura me mund, të qëndrueshmërisë fiskale. Një suficit i lehtë primar do ta vendosë borxhin publik në kahun rënës. Përpjekjet për administrimin e të ardhurave që janë të parashikuara në strategjinë afatmesme që do të miratohet së shpejti, duhet të mbështetet nga përmirësimi i sistemeve informatike.

Përpjekjet duhet të nisin për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar e të heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla. Puna përgatitore për ligjin e ri për tatimin mbi pronat duhet të përshpejtohet dhe të përfundohet në kohën e duhur.

Ndër të tjera, Weber vlerësoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një perfomancë të fortë dhe se PBB-ja ka tejkaluar prirjet reale falë sektorit të turizmit.

Ne parashikojmë rritje reale të ekonomisë me 3,6 %, ndër më të lartat në Europë.

Analiza e FMN-së sugjeron se konjektura aktuale e ekonomisë është e favorshme dhe është koha e duhur për të ndërmarrë reforma vendimtare, për të siguruar rritje të qëndrueshme.

Pavarësisht progresit, ekonomia shqiptare vijon të mbetet përballë disa sfidave. Axhenda e reformave do të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë tregjeve të BE-së.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Petrit Malaj, tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të lartë ndaj 3 goditjeve të mëparshme, e pandemisë Covid-19, tërmetit të 2019-ës e luhatjeve të tregjeve të huaja, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Malaj vlerësoi se kapërcimi i këtyre sprovave përbëjnë sinjal pozitiv për ecurinë afatmesme të ekonomisë. Më tej, theksoi se rritja ekonomike në 6-mujorin e parë të 2024-ës është 3,9% në terma vjetore.

Duke u ndalur me radhë te treguesit ekonomik, u shpreh se “tregojnë transformimin pozitiv të ekonomisë dhe krijimin e modelit të qëndrueshëm”.

Sektori i turizmit ka vijuar të jetë burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sinjalet e para për 3 mujorin e tretë janë premtuese. Bazuar në këto zhvillime kemi rishikuar me rritje parashikimet për rritjen ekonomike. Inflacioni ka arritur trajektore rënëse. Nivelet e inflacionit kanë qenë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Flukset në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja kanë ndikuar në forcimin e lekut.

Gjatë gjysmës së parë të 2024 kemi parë zhvillime pozitive në këto komponentë, në rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit me 25,4% dhe të remitancave prej 15%. Këto kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit.

Malaj u ndal edhe në disa aspekte të projektbuxhetit 2025. Sipas tij projektbuxheti materializon 4 pika kryesore, rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3,9% në 4 vitet e ardhshme, investime, mbrojtje sociale ku kemi alokuar 100 milion euro më shumë se vitin e kaluar. Ulja e borxhit publik në 55.8%.

Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko vlerësoi se ekonomia ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi.

Punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje të shpejtë në 6 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni në rënie ka qëndruar në nivelet 2%. Borxhi publik janë në rënie, duke qëndruara në nivelet më të ulëta në dekadën e fundit. Sektori bankar shfaqet i shëndetshëm.

Sejko tha se projeksionet e ekonomisë për të ardhmen mbeten pozitive.

Rritja ekonomike do të variojë në nivelin 3,5 deri në 4% në vitin aktual. Inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe në kontroll, duke qëndruar afër objektivit tonë prej 3%.