Në Selinë Blu, zgjati rreth një orë takimi i Gabriel Escobar-it në zyrën e Lulzim Bashës, i pari për sot në kuadër të vizitës në vendin tonë dhe që përkon me zhvillime përçarëse në kampin demokrat. Berisha i shpallur non grata nga Amerika, për korrupsion madhor dhe i përjashtuar nga grupi demokrat, ka njoftuar se pas dy ditësh do të thërrasë Kuvendin Kombëtar që nuk njihet nga Basha e që do e mbledhë Kuvendin, më 18 dhjetor. Para se të hynte në zyrën e kreut demokrat, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, i cili shoqërohej nga ambasadorja Kim, u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë. Isha gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ka shprehur angazhimin ndaj NATO-s, integrimit europian e luftës kundër korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por, për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptojë e kërkojë një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington, së shpejti.
Në një prononcim për media pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan, kryedemokrati pranoi se temë diskutimi ishte edhe vendimi i SHBA-ve për të shpallur “non grata” Berishën.
Çështja e ndëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit. Sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, DASH, jam i bindur se do të dëgjoni drejtpërdrejt nga Escobar për qëndrimet e DASH-it.
I pyetur nga gazetarët lidhur me ftesën për të vizituar Uashingtonin, Basha u shpreh:
Eshtë ftesë e përsëritur dhe po planifikoj një vizitë në Uashington, në mënyrë që të shtyjmë përpara objektivat e PD-së, por edhe daljen nga kjo gjendje dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli, si dhe ecjen e Shqipërisë përpara me reforma, zgjedhje të lira e të ndershme.
Axhenda e zyrtarit të lartë amerikan do të vijojë sot me dy takime të tjera, fillimisht me kryediplomaten Xhaçka e rreth orës 17:00 me kryeministrin Rama.