Administrata Trump propozoi Gjeneral Lejtnantin në pension, Eric Wendt si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit i publikoi profilin, duke theksuar arsyet e nominimit.
Aktualisht, Wendt punon si profesor i Praktikës në Shkollën Pasuniversitare Detare (NPS), ku ligjëron mbi komandimin dhe lidershipin.
Profili i Eric Wendt
Nënvizohet përvoja e gjatë ushtarake dhe aftësitë drejtuese si bazë për emërimin në Tiranë, duke e konsideruar kandidaturën e tij të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-ve e Shqipërisë.
Gjeneral Lejtnanti në pension, Eric Wendt punon si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim mbi Komandimin dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare të Marinës (Naval Postgraduate School – NPS).
Kur ende ishte në shërbim aktiv me uniformë si gjeneral, ka qenë i angazhuar në Europë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Komandonte të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes e ushtarakë.
Më parë, ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria.
Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil e ndërinstitucional.
Ka punuar për Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vjet, si pjesë e rëndësishme e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez e raportonte drejtpërdrejt te sekretari i Shtetit.
Përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe e ndërinstitucionale, si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Europën, e bëjnë Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt shumë të kualifikuar për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Gjeneral Lejtnanti (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni.
Flet gjuhët arabe e koreane. Eshtë nderuar me çmime e dekorata të shumta, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit, si dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.