Aktualitet

GJKKO rrëzon Metën për Dvoranin!

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi kallëzimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. GJKKO pranoi kërkesën e SPAK-ut, që pas hetimeve, kërkoi pushim akuze e mbyllje të çështjes. Vetë Dvorani, aktualisht gjyqtar i Apelit Administrativ të Tiranës, deklaroi se “koha e gjyqeve publike ka mbaruar”.

Nuk mendoj që më shkon mua të bëj interpretime të miat. Kush mendon se ka përplasje i ka për vete, unë nuk kam përplasje me askënd. Eshtë e drejta e Metës si çdo individ tjetër të këtë gjykimin dhe interpretimin e tij mbi fakte të caktuara. Unë nuk jam kurrkush të gjykojë e të paragjykojë atë apo kushdoqoftë. Janë institucionet që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve popullore në Shqipëri i përket një regjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër media!

Meta e bëri kallëzimin në SPAK, më 18 shkurt 2020, ndërsa e akuzoi Dvoranin si shkelës të ligjit e të Kushtetutës. Ardian Dvorani u largua nga detyra si kryetar i KED nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi i kishte mbaruar mandati, por vazhdonte të qëndronte, me pretendimin se nuk i ishte gjetur zëvendësuesi.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj u shpreh se vendimi i dhënë është i padrejtë.

Deri më tani, Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e Prokurorisë. Me kërkesën për pushimin e çështjes jemi njoftuar në fillim të nëntorit. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije dhe tani presim çdo të ndodhë. Unë di ta ruaj sekretin. Janë parashtruar të gjitha argumentet. Cili nga aktet që Presidenti ka dorëzuar në prokurori nuk është publik? Të gjitha janë transparente. Do e ankimojmë vendimin! Eshtë pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, kur ishin shumë të pandehur. Presim të zbardhet vendimi i gjykatës, ne do të bëjmë atë që na lejon ligji.