Një grup prej 13 të pandehurish, pjesë një dosjeje që hetohej prej vitesh nga SPAK për organizatën që rekrutonte dhe dërgonte në Siri shqiptarë për të luftuar në krah të ISIS apo celulave të tjera, janë dënuar sot (11 qershor).
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë të pandehurit e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe për disa prej tyre, edhe për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj.
Procesi u mbajt me procedurë të zakonshme dhe verdikti u dha nga trupit gjykues i përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca.
Sipas verdiktit, Shyqyri Kaca dhe Saimir Kaca u dënuan secili me nga 10 vite burgim pas bashkimit të dënimeve për veprat penale “pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.
Ndërkohë, Enes Kaca u dënua me 5 vite burgim si i mitur, ndërsa Bajram Sulaj, Arbër Stafasani, Etion Zani dhe Erion Luto u dënuan me nga 9 vite burgim.
Gjashtë të pandehurit e tjerë morën dënime që variojnë nga 4 deri në 8 vite burg.
Gjykata vendosi që dënimet të bëhen në burgje të sigurisë së lartë dhe ngarkoi SPAK-un me ekzekutimin e vendimit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.