Trafiku i drogës e pastrimi i parave, SPAK-u goditi një grup të strukturuar që vepron në zonën e Kamzës dhe dyshohet se drejtohet nga vëllezërit Abedin e Luçiano Koçeku. Prokuroria e Posaçme lëshoi 20 masa sigurie, 15 “Arrest me burg” e 5 “Arrest në shtëpi”.
Në kërkim janë shpallur biznesmenët Artur Shehu e Ilir Shtufi, të cilët ndodhen jashtë vendit. Shehu është një nga pronarët që posedon pjesën dërrmuese të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz, kundër të cilit po zhvillohen protesta masive.
Dyshohet se biznesmenët e përfshirë kanë pastruar paratë e këtij grupi kriminal, të ardhura nga veprimtari të paligjshme.
Luçiano Koçeku rezulton pronar 100% i shoqërisë “G.A.V Invest”, me veprimtari në fushën e projektimit, ndërtimit, prodhimit dhe shitblerjes së materialeve të ndërtimit.
Po ashtu, kompania e themeluar më 21 tetor 2022 në Tiranë, me kapital themeltar 30 milion lekë, ka aktivitet për investim në fushën e ndërtimit, në komplekse civile, turistike, industriale, sociale, komplekse te tregtimit dhe te shërbimit, bar, restorant, hoteleri, projektimi dhe zbatimi i veprave ndërtimore, rrugë të të gjitha kategorive.
Koçeku rezulton 10% aksione në “Ballenja kompani” që për 35 vjet ka marrë me koncension financimin dhe ndërtimin e hidrocentralit “Ballenjë”, duke shfrytëzuar ujërat e pellgut të Ballenjës në Bulqizë.
Në këtë projekt, ai rezulton administrator me dy persona të tjerë. Ndërkaq, në kompaninë “S G D Energji” në Bulqizë, me objekt të veprimtarisë prodhim, tregtim, furnizim, energji elektrike, Koçeku rezulton të ketë blerë 30% të aksioneve, prej 2018-ës.