Rajoni

Greva e arsimtarëve, nuk nis viti i ri shkollor në Kosovë/Kallëzohet ministri i Financave!

Greva e arsimtarëve bëri që sot në Kosovë të mos fillojë viti i ri shkollor 2022-2023. Marrëdhëniet me qeverinë Kurti janë acaruar ndjeshëm. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj njoftoi dorëzimin e kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai vendosi të mos jepen pagat për mësuesit që janë në grevë nga data 25 gusht.

Një ditë më parë, ministri Murati njoftoi se autoritetet përgjegjëse bënë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, pasi nuk u përditësua në kohë lista e personelit që punoi deri në fund të muajit.

Ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët.

Në grevë, krahas punonjësve të arsimit janë edhe nëpunësit civilë në institucionet lokale e qendrore të Kosovës. Kërkesa kryesore e sindikatave është shtesa 100 euro derisa të hyjë në fuqi projektligji “Për pagat”.

Përfaqësuesit e këshillit grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), vizituan disa shkolla që janë në grevë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi:

Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër, greva do të përfundojë kur të thoni ju [mësimdhënës]. Greva do të përfundojë kur Qeveria t’i plotësojë kërkesat tona.

Në Kosovë, ligji duhet të miratohet në Qeveri e në Kuvend, ndërsa më pas të publikohet në Fletoren Zyrtare. Po ashtu, hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në të.