Delegacionet ushtarake nga Rusia dhe Ukraina shënuan përparim të mjaftueshëm në bisedimet që kanë për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi bllokadën e eksporteve të drithërave. Për shkak të saj ka një rritje të çmimeve globale të ushqimeve. Për javën e ardhshme, palët ranë dakord të mbajnë një raund të ri bisedimesh në Turqi.
Përmes një deklarate, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se palët arritën dakordësi për “kontroll të përbashkët” të porteve dhe mënyrat “për të ofruar rrugë të sigurta të transportit”, përgjatë Detit të Zi. Pas takimit të radhës në Turqi, “të gjitha detajet do të rishikohen e priten nënshkrime”. Delegacionet ushtarake të Rusisë dhe Ukrainës mbajtën takim në Stamboll në përpjekje për të zhbllokuar eksportet e drithërave, pasi bllokada ka kontribuar në rritjen e çmimeve globale të ushqimit.
Zyrtarë të ushtrisë turke e të dërguarit e Kombeve të Bashkuara ndërmjetësuan takimin, që të gjendet një mënyrë për të zhbllokuar miliona tonë drithëra nga depot në Ukrainë e në portet e vendit që prej rreth 5 muajsh po përjeton agresionin rus.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres:
Takimi është i rëndësishëm dhe hap thelbësor drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të rikthyer eksportet e drithërave ukrainase përmes porteve të Detit të Zi. Javën e ardhshme, shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një marrëveshje përfundimtare. Por, ende na duhet shumë vullnet i mirë e përkushtim nga të gjitha palët.
Në Stamboll, Moska prezantoi një paketë propozimesh “për zgjidhje të shpejtë dhe praktike”. Takimi mes delegacioneve të Rusisë e Ukrainës u zhvillua në kulmin e shqetësimeve se mund të shkaktohet uri në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Ukraina është eksportuese me peshë e grurit dhe elbit, misrit e farave të lulediellit. Kievi vlerëson se 25 milion tonë drithëra janë aktualisht të bllokuara në portet e saj. Për në Europë, një pjesë e drithërave po transportohet përmes trenave e lumenjve, por sasia është e vogël krahasuar me eksportin në rrugë detare.