Politikë

Inceneratorët, Tabaku: SPAK të çojë para drejtësisë personat me pushtet

Ish-kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku ka përshëndetur arrestimet e SPAK për aferën e inceneratorëve, por theksoi se nuk mjafton. Në një deklaratë për mediat. Tabaku theksoi se SPAK duhet çojë para drejtësisë personat me pushtet politik, teksa akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama si ‘koka e kësaj afere korruptive’.

Për Tabakun, veprimet e deritanishme të SPAK janë të pamjaftueshme dhe hetimet duhet të vazhdojnë. Sipas saj, hetimet për inceneratorin e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës duhet të bashkohen pasi personat e përfshirë i kanë kryer veprimet bashkarisht.

“Sot kemi pasur një hap përpara në çështjen e hetimi të inceneratorëve, por kjo nuk është e mjaftueshme. Pas një pune hetimore 4 mujore, 11 kallëzimeve të dorëzuar nga PD në SPAK, pas një raporti prej 120 faqe, që tregonin lidhjen shkak-pasojë në aferën korruptive 430 mln euro, me përfshirjen direkte të Edi Ramës, Arben Ahmetaj, Belinda Ballukut, Erion Veliajt, SPAK ka reaguar duke arrestuar disa zyrtarë e duke përsëritur akuzat ndaj Lefter Kokës e Klodian Zotos. Kaq nuk është e mjaftueshme. Presim që SPAK të tregojë guxim e të reagojë dhe ndaj njerëzve me pushtet, të kalojë përtej pushtetit politik e të kryej detyrën për të cilën e kemi votuar. Në gjykimin tonë është i pamjaftueshëm dhe duhet të vazhdojnë hetimet. Ne gjykojmë që çështjet e inceneratorit të Fierit, Tiranës dhe Elbasnait duhet të trajtohen sëbashku pasi personat e përfshirë kanë marrë vendimet sëbashku. Në çështjen e inceneratorit të Fierit, që të jetë e plotë, duhet të vazhdohet edhe me Armando Subashin. Kërkesa jonë për t’i trajtuar të tre inceneratorët të përbashkëta lidhet me faktin se këta persona i kanë kryer veprimet bashkë. Askush nuk mund të deklarojë sot fitore sa kohë që personat me përgjegjësi politike akoma nuk ndodhen para drejtësisë dhe kjo është thirrja ime për SPAK. Duhet të bashkohen hetimet për Tiranë, Elbasanin dhe Fierin”, tha Tabaku.

Po ashtu për aksionin e SPAK ka reaguar edhe ish-kryedemokrati, Lulzim Basha i cili tha se këto arrestime janë rezultat i punës së PD. Sikurse Tabaku, edhe ai shton se vetëm këto masa nuk mjafton por duhet të dënohen përgjegjësit kryesorë që sipas tij janë ministrat dhe kryeministri Rama.

SPAK ka ekzekutuar 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë janë lëshuar edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 janë masa sigurie ‘arrest me burg’ dhe 2 në arrest shtëpie. Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohet zyrtarisht nga prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

SPAK i ka kërkuar Kuvendit leje për arrestimin e deputetit të PS, Alqi Bllako. Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Klodian Zoto si dhe Arenc Myrtezani janë lënë në qeli ndërkohë që 2 gratë Sabina Cenameri si dhe Etleva Kondi janë lënë në ‘arrest shtëpie’. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të Komisionit të Prokurorimit për Inceneratorin e Fierit.