Bota

Inflacion rekord në BE. nën ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës!

Në 19 vendet e Eurozonës, inflacioni arriti në 8.6% në qershor, duke kaluar shifrën 8.1% të regjistruar një muaj më parë, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat. Inflacioni rezulton në nivelin më të lartë nga fillimi i regjistrimit të të dhënave për euron, në vitin 1997. Çmimet e energjisë u rritën me 41.9% e të ushqimeve, me 8.9. Në të dyja rastet, kjo shënon rritjen më të shpejtë krahasuar me majin.

Kërkesa për energji u rrit pasi ekonomia globale doli nga izolimi i plotë i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por gjërat u përkeqësuan edhe nga pushtimi rus i Ukrainës. Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve.

Blloku 27 anëtarësh synon të ndëshkojë Moskën e të zvogëlojë varësinë nga energjia ruse, por kjo po mbingarkon njerëzit dhe bizneset, ndërsa faturat e shërbimeve e çmimet te pompat e benzinës, po rriten.

Muajin e kaluar, Rusia pakësoi furnizimet e gazit natyror që përdoret për industrinë dhe prodhimin e energjisë elektrike drejt disa vendeve të BE-së, si Gjermania, Italia e Austria, krahas ndërprerjes së plotë të gazit për Francën, Poloninë, Bullgarinë dhe të tjerët. Sipas ekspertëve, “embargoja e naftës dhe ulja e furnizimit me gaz, që u njoftuan gjatë muajit qershor janë arsyeja kryesore që çmimet e energjisë u rritën.

Rritja e çmimeve të konsumit është problem në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. Ndërkohë, Amerika e Britania e Madhe po përjetojnë inflacionin më të lartë të 40 viteve të fundit, përkatësisht 8.6% e 9.1%. Kjo ka bërë që Rezerva Federale, siç njihet Banka Qendrore e SHBA-ve, Banka e Anglisë dhe të tjera banka qendrore në botë, të miratojnë një sërë rritjesh të normave të interesit, për të luftuar inflacionin. Të dhënat e fundit për inflacionin në Eurozonë shtojnë presionin mbi Bankën Qendrore Europiane për të vepruar shpejt.

Këtë muaj, ky institucion po planifikon të rrisë normën e interesit, për herë të parë pas 11 vjetësh, ndërsa rritja tjetër pritet në shtator. Presidentja Christine Lagarde po e lë të hapur derën për rritje më të mëdha të normave të interesit, nëse inflacioni rritet më shumë nga sa pritej.

Bankat qendrore rrezikojnë të shkaktojnë recesion pasi e bëjnë huamarrjen më të shtrenjtë. Ndërkohë, inflacioni në zonën e Euros ka vendosur rekorde mujore që nga viti i kaluar, duke nxjerrë në pah ndikimin e luftës te furnizimet globale të energjisë, çka si pasojë ka sjellë shtrenjtimin e jetës për 343 milion njerëz.

Rritjet e çmimeve për mallra si veshjet, pajisjet elektroshtëpiake, makinat, kompjuterët e librat mbetën mjaft të qëndrueshme në 4.3%, siç ndodhi edhe me çmimet për shërbimet në 3.4%. Të dhënat e BE-së treguan gjithashtu se vendet fqinje me Rusinë që janë përpjekur të heqin dorë nga gazi i lirë rus po mbajnë peshën kryesore të çmimeve në rritje. Inflacioni vjetor arriti në 22% për Estoninë, 20.5 për Lituaninë e 19% për Letoninë.

Polonia, e cila nuk përdor Euron, por është anëtare e BE-së, raportoi se inflacioni u rrit në 15.6% në qershor, krahasuar me një vit më parë, norma më e lartë në një çerek shekulli. Analistët vunë në dukje se rritja më e madhe në Poloni ishte në çmimet e benzinës dhe naftës, me 46.7% krahasuar me një vit më parë. Çmimet e ushqimeve u rritën me 14.1%.