Evakuimet nga Afganistani të shtetasve të huaj dhe bashkëpunëtorëve afganë kanë ngecur pas paralajmërimeve për sulme nga struktura të lidhura me terroristët e Shtetit Islamik. Forcat amerikane thonë se janë në kërkim të rrugëve alternative pasi aeroporti është i rrezikuar. Ushtria amerikane po përpiqet të gjejë rrugë më të sigurta për evakuimin nga aeroporti i Kabulit të shtetasve amerikanë, afganë dhe të huajve, pas kërcënimeve nga celula të ISIS-it.
Ambasada amerikane në Afganistan udhëzoi shtetasit e vet në fundjavë që të mos udhëtojnë vetë drejt aeroportit dhe të mos presin afër portave të tij pasi mund të jenë objekt sulmesh. Një burim nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, tha për CNN se:
Ka shumë mundësi që Shteti Islamik të sulmojë aeroportin.
Udhëzimi i Uashingtonit vjen në kohën kur vijon kaosi në Kabul prej frikës nga talebanët.
Rikujtojmë se, mijëra afganë mund të lihen në Kabul ndërsa ministrat kërkojnë të zgjasin afatin për fluturimin e fundit të evakuimit britanik përtej të martës. Sipas mediave britanike, Mbretëria e Bashkuar po i bën thirrje presidentit amerikan Joe Biden, të vonojë tërheqjen e forcave amerikane nga aeroporti për të ndihmuar me transportin ajror të 6,000 shtetasve britanikë dhe vendas nga qyteti i kontrolluar nga talebanët.