Bota

Trump: Udhëheqësi i lartë i ISIS-it u vra nga forcat amerikane dhe nigeriane!

Presidenti Donald Trump njoftoi se forcat amerikane dhe nigeriane vranë një nga figurat kryesore të Shtetit Islamik, Abu-Bilal al-Minuki, në një operacion të përbashkët ushtarak në Afrikë.

Në një postim në Truth Social, Trump e përshkroi misionin si “të ekzekutuar në mënyrë të përsosur” dhe e cilësoi al-Minukin si “terroristin më aktiv në botë”. Ai ishte shpallur terrorist global nga SHBA-të, në vitin 2023.

Ushtria nigeriane nuk komentoi e nëse konfirmohet, vrasja e tij do të përbënte një goditje të rëndësishme për ISIS-in, pas eliminimit të Abu Bakr al-Baghdadi-t më 2019-ën.

Al-Minuki drejtonte celula të lidhura me ISIS-in në Afrikë, veçanërisht në Provincën e Afrikës Perëndimore, me bazë në pellgun e liqenit Çad e Sahel, duke shtrirë aktivitetin në Niger, Çad e Mali.

Trump falënderoi qeverinë nigeriane për partneritetin dhe tha se vdekja e al-Minukit është goditje e madhe për rrjetet afrikane dhe globale të ISIS-it, duke prishur kanalet e financimit e strukturat komanduese.

Amerika dhe Nigeria kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak vitet e fundit. Në prill, ISIS mori përgjegjësinë për një sulm ku u vranë të paktën 29 persona në një fushë futbolli në Adamawa, ndërsa gjatë Krishtlindjeve të kaluara, dy vendet kryen një sulm të përbashkët ajror në Sokoto kundër grupeve të lidhura me Shtetin Islamik.