Aktualitet

Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Roshanos!

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u ndal dhe në komunën e Roshanos, ku takoi autoritetet lokale, si dhe të rajonit të Abrucos. Në takim ishin përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos e të diasporës së re shqiptare të vendosur aty, tre dekadat e fundit. Kryetarit të Shtetit iu akordua titulli “Qytetar Nderi” nga kryebashkiaku i Roshanos, Dr.Simone Palozo.

Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e komunitetit arbëresh të Vila Badesës, duke ruajtur gjuhën, kulturën, traditat e të parëve.

Shumë faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore që organizuat me rastin e ardhjes time në Vila Badesa dhe për më tepër, të organizuar në këtë kishë simbol të arbëreshëve dhe krenarie për çdo shqiptar. Sheshi, kisha, rrugët, busti i Kryezotit të Arbërit, shtëpitë, gatimi, të gjitha rrezatojnë trashëgiminë tuaj arbërore e për këtë ju jemi vërtet mirënjohës!

Presidenti u ndal dhe te takimi me homologun Mattarella:

Ju siguroj se një pjesë të rëndësishme të takimit me Presidentin Mattarella, iu kushtua vëmendjes ndaj arbëreshëve, për të cilën ju siguroj se ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm dhe lamë të zhvillojmë projekte të përbashkëta, në interes të arbëreshëve. Në kushtet e sotme, duhet të bëjmë akoma më shumë që gjuha arbëreshe, traditat unikale fetare, të ruhen e trashëgohen edhe te brezat e ardhshëm.

Kreu i Shtetit falënderoi autoritetet e rajonit të Abrucos për ndihmën dhënë diasporës shqiptare që të integrohet në shoqërinë italiane.

Në Itali jetojnë më shumë se gjysmë milion shqiptarë, pjesë e shoqërisë italiane, shumë mirë të integruar në këtë shoqëri. Arbëreshët e po ashtu dhe shqiptarët e ardhur pas viteve ‘90, asnjëherë nuk kanë qenë të rrezikuar nga asimilimi i gjuhës apo traditat e tyre.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi edhe qytetin e Kietit, ku u prit nga autoritetet lokale. Begaj vuri në dukje ndihmën e qendrës spitalore të Kietit në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.

Në fund të takimeve, presidenti kërkoi që komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri në Itali, ashtu si dhe komuniteti italian në Shqipëri, të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve.