Aktualitet

“Rama dorëhiqu!”/ Shqiptarët në Milano mbushin sheshin me thirrje kundër kryeministrit

Shqiptarët e diasporës janë mbledhur në Milano, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat e mijëra qytetarëve që po zhvillohet në Tiranë. Në tubimin e organizuar në një nga sheshet e qytetit italian, pjesëmarrësit mbanin flamuj kuqezi, pankarta dhe simbole të përdorura gjatë protestave të fundit.

Atmosfera u karakterizua nga thirrje në mbështetje të protestuesve në Shqipëri dhe kerkesa per largimin e qeverise Rama, ndërsa të pranishmit theksuan se po ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend dhe kërkesat e qytetarëve.

Vëmendje tërhoqën edhe figurat e flamingove, simbol që është përdorur gjerësisht në manifestimet e fundit.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklaruan se qëllimi i tubimit ishte të përcillnin mbështetje për qytetarët që protestojnë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të reagimit publik ndaj zhvillimeve që prekin vendin.

Tubimi në Milano u zhvillua në mënyrë paqësore dhe mblodhi shqiptarë të ardhur nga zona të ndryshme të Italisë, të cilët shprehën solidaritetin e tyre me protestuesit në Tiranë.