Bota

Kievi: Sulmet ruse ndaj infrastrukturës së energjisë të Ukrainës janë gjenocid!

“Sulmet e Rusisë në infrastrukturën ukrainase të energjisë përbëjnë gjenocid”. Kështu i cilëson Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, në një prononcim për rrjetin televiziv britanik, BBC. Sulmet në objektet kyçe kanë shënjestruar të gjithë kombin ukrainas dhe kanë qenë një përpjekje për të arritur te dorëzimi i Kievit.

Sipas Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidi përfshin “synimin për të shkatërruar, pjesërisht apo plotësisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar. Rusia mohon se ka një qëllim të tillë në luftën e nisur në fund të muajit shkurt. Ndërkohë, si pasojë e sulmeve të trupave të Rusisë, miliona persona në Ukrainë janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike në kushtet e motit të ftohtë me temperatura të ulëta.

Në anën tjetër, autoritetet ukrainase njoftojnë se janë duke vazhduar punën për të rregulluar dëmet në rrjetin elektrik, për të rikthyer energjinë në shumë zona të vendit, përfshirë Kievin.

Prokurori Kostin bëri të ditur se zyra e tij është duke hetuar më shumë se 49 mijë krime të luftës që prej nisjes së konfliktit, më 24 shkurt të këtij viti. Ai ka bërë thirrje për krijimin e një “gjykate ndërkombëtare ad-hoc”, siç u shpreh, të mbështetur nga “bota e qytetëruar” që kundërshton luftën, në mënyrë që Rusia të mbahet përgjegjëse për të gjitha veprimet në Ukrainë.

Me urdhër të Putinit, forcat e Moskës sulmuan vendin fqinj, në emër të atij që për shefin e Kremlinit është “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi u vendos në krah të Kievit dhe vendosi t’i përgjigjet Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Po ashtu, po furnizon me armatime ushtarake Ukrainën, që të ketë sukses në kundërpërgjigjen ndaj pushtuesve. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.