Bota

Lufta në Ukrainë, 6 milion familje ende pa energji elektrike!

Në terren, ekipet ukrainase të riparimit të avarive vazhdojnë përpjekjet për të rikthyer energjinë elektrike në miliona shtëpi të Ukrainës, pas sulmeve të fundit shkatërrimtare me raketa ruse në objektet e infrastrukturës, duke shënjestruar edhe pikat e furnizimit me energji e ujë të pijshëm. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha se më shumë se 6 milion familje mbeten në errësirë.

Ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë në shumicën e rajoneve, si dhe në kryeqytetin Kiev. Por, ekipet e riparimit kanë arritur të përgjysmojnë numrin e zonave të prekura që nga 23 nëntori, datë që shënon dhe një nga netët më shkatërruese të bombardimeve ruse ndaj infrastrukturës së rrjetit elektrik, përgjatë pushtimit 9-mujor.

Përveç kryeqytetit, Zelenskiy deklaroi se edhe Odesa në Detin e Zi, Lvivi në Ukrainën perëndimore, Vinnytsia e Dnipropetrovsk në Ukrainën qendrore janë të tjera zona të goditura rëndë.

Përmes Telegramit, kompania kombëtare e rrjetit të energjisë, Ukrenerho bëri të ditur se deri dje në orën 19:00, rreth 30 për qind e furnizimeve me energji elektrike të vendit, ende ishin jashtë funksionit. Ukrenerho njoftoi se po vazhdonte një punë të ndarë në faza dhe se ekipet e riparimit po punojnë gjatë gjithë kohës, por u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Kjo shton vështirësitë në kushtet e uljes së temperaturave.

Pushtimi rus i Ukrainës nisi në muajin shkurt të këtij viti. Javët e fundit, Ukraina ka arritur që të rikthejë nën kontroll disa qytete që ishin pushtuar nga trupat e Moskës.

Me ftesë të Gjermanisë, vendet e G7-ës mblidhen javën e ardhshme në kryeqytetin rumun Bukuresht. Në fokus, mbështetja për furnizim me energji elektrike për Ukrainën. Sulmet ajrore ruse në infrastrukturën ukrainase, kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, i quajti “krim të patolerueshëm e çnjerëzor”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua se Aleanca Veri-Atlantike do të ndihmojë Ukrainën të mbrohet në luftën kundër Rusisë për aq kohë sa të ketë nevojë. Gjithashtu, tha se NATO do të ndihmojë vendin e shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne, sipas standardeve perëndimore.