Rajoni

Kosovë, Hoti: “Për disa javë presim arritjen e vaksinave anti-COVID”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti e bën të qartë se nuk pranojnë vaksina anti-COVID të pacertifikuara nga Bashkimi Europian. Ndërsa vendi është i vetmi në Ballkan që ende nuk e ka nisur procesin e vaksinimit, Hoti adresoi çështjen e kritikave në këtë drejtim kur tha se “ndërkohë kanë bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar vaksina sipas standardeve të BE”-së.

Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike. Jemi kritikuar edhe për vaksinën por kemi bërë të gjitha përgatitjet që vaksinën ta sjellim sipas standardeve të BE-së e jo të hyjmë në lojëra. Ata që kritikojnë pa nevojë nuk e tregojnë të vërtetën se nga kanë ardhur vaksinat në vendet e regjionit të cilat janë me origjinë të dyshimtë.

Në të njëjtë linjë u shpreh dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili vuri në dukje se përpjekjet për të sjellë në Kosovë vaksinat kundër koronavirusit, nuk janë ndalur asnjëherë. Hoti shtoi gjithashtu se beson që do t’ia dalim mbanë dhe se do ti kthehemi normalitetit.