Bota

Kriza energjitike prek edhe kompanitë e njohura të modës, Valentino fik dritat e dyqaneve…

Kriza energjetike nuk ka kursyer as kompanitë e njohura të modës. Marka italiane Valentino ka vendosur të fikë dritat në dyqanet e saj herët gjatë natës për të kursyer energji dhe për të dhënë një sinjal ndërgjegjësues përballë krizës energjetike që ka përfshirë botën.

Kompania ka bërë të ditur se dritat në rreth 95 butikë të Valentino-s anembanë globit do të fiken çdo natë në orën 22:00. Përmes këtij vendimi kompania italiane vlerëson se do të ketë një ulje ditore të konsumit të energjisë prej mbi 800 kilovat për orë. Por Valentino nuk është e vetmja që ka ndërmarrë një hap të tillë. Muajin e kaluar Louis Vuitton bëri të ditur se do të fikë dritat në dyqane më herët se sa zakonisht duke filluar me dyqanet e saj në Francë. Këto plane janë vetëm disa nga masat që po ndërmerren kudo në botë për të kursyer energji.

Rikujtojmë, se Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mblodhi dje Bordin për çështjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi qeveria vendosi mosaplikimin e fashës për abonentët familjarë. Kreu i ERE, Petrit Ahmeti tha se çmimi i KESH për OSHEE nuk ndryshon për muajin tetor dhe se mbetet 2.6 lek për kwh, ndërsa tha se vendimi nëse çmimi ndryshon muajin e ardhshëm do të bëhet në fund të muajit, pasi në fund të muajit lexohet përcaktimi i tarifës mbi koston. Ndër të tjera Ahmeti tha se nuk ka asnjë arsye që çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri të bëhet më i larti në rajon.