Anne Hathaway është shfaqur dukshëm e prekur emocionalisht gjatë ceremonisë mortore të stilistit legjendar Valentino Garavani, e cila u mbajt të premten në Romë.
Aktorja e njohur nuk i përmbajti lotët teksa i bashkohej figurave më të mëdha të botës së modës për t’i dhënë lamtumirën ikonës që ndërroi jetë të hënën, në moshën 93-vjeçare, në shtëpinë e tij në kryeqytetin italian.
Ceremonia u zhvillua në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, ku personalitete të shumta nga moda, kinemaja dhe kultura u mblodhën për të nderuar trashëgiminë e një emri që për dekada përcaktoi elegancën.
Mes të parëve që mbërritën ishte Anne Hathaway, e cila kishte njohur Valentinos gjatë xhirimeve të filmit The Devil Wears Prada, ku stilisti u shfaq edhe në një cameo të paharrueshëm.
Fotot nga jashtë bazilikës tregojnë aktoren me sy të përlotur, e veshur në të zeza dhe me syze dielli, ndërsa qëndronte pranë emrave si Donatella Versace dhe Tom Ford, të gjithë me një qëndrim solemn.
Anne u pa gjithashtu duke përqafuar të tjerë të pranishëm, në një atmosferë të ngarkuar emocionalisht.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe figura të tjera të rëndësishme të industrisë, përfshirë Anna Wintour, Elizabeth Hurley me djalin e saj Damian, i cili kishte zgjedhur të përfshinte simbolikisht ngjyrën e kuqe Valentino në veshje, si dhe partneri i hershëm i stilistit, Giancarlo Giammetti.
Qindra qytetarë dhe adhurues të modës u mblodhën gjithashtu jashtë bazilikës, ndërsa arkivoli prej druri mbërriti mes luleve të bardha dhe trëndafilave të kuq, një homazh i drejtpërdrejtë ndaj ngjyrës ikonike që Valentino e ktheu në firmën e tij që nga viti 1959.
Valentino Garavani, i lindur në vitin 1932, ishte një nga figurat më të mëdha të modës botërore, duke veshur ndër vite emra si Princesha Diana, Jacqueline Kennedy, Elizabeth Taylor, Kim Kardashian dhe Victoria Beckham.
Me krijimet e tij elegante, prerjet perfekte dhe “Valentino red”, ai la pas një trashëgimi që vazhdon të ndikojë industrinë edhe sot.
Ceremonia në Romë nuk ishte thjesht një lamtumirë, por një kujtesë e fuqishme e ndikimit që një njeri, me vizion dhe pasion për bukurinë, mund të lërë pas.