Sport

Kryeministri i Italisë Draghi: “Jo finales në Wembley!”/ UEFA e ka vendosur!

Kryeministri italian, Mario Draghi është kundër finales së Euro 2020-ës në Wembley të Londrës. Në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Draghi ëndërron që finalja të luhet në Romë dhe zotohet të punojë që të mos zhvillohet në një vend për të cilin tha se “po përballet me shifra në rritje të infektimeve me koronavirus”. Siç dihet, në Britani ka një shqetësim për përhapjen e variantit Delta, i njohur ndryshe si “varianti indian”.

Por duket mision i pamundur ai i shefit të Qeverisë së Romës pasi UEFA është pranë marrëveshjes me Londrën zyrtare për të lejuar hyrjen në stadium të 60 mijë tifozëve. E menjëhershme përgjigja e Ekzekutivit Europian të Futbollit që nuk synon të bëjë as lëshimin më të vogël.

UEFA, Federata Angleze dhe autoritetet në Britani po punojnë ngushtësisht e me sukses për të organizuar gjysmëfinalet e finalen e Europianit në Wembley. Nuk ka plane për të ndryshuar selitë e ndeshjeve të tyre!

Downing Street zgjedh heshtjen e preferon të mos bëjë komente. Por nga burime të cituara në mediat ndërkombëtare, mësohet se Londra është angazhuar të mundësojë kushte sigurie shëndetësore për të gjithë.

Sa i përket planeve të Kryeministrit të Italisë, në të njëjtën linjë është edhe Kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi:

Jemi gati për zhvendosjen në Romë të Finales së Euro 2020-ës. Roma dhe Italia kanë treguar se janë në gjendje të organizojnë evente të mëdha ndërkombëtare!

Ndërkaq, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e shfrytëzoi konferencën për shtyp me Draghin për të uruar Kombëtaren Italiane lidhur me rezultatet në këtë Europian.

Kemi qëndrime të ndryshme, Italia luan mirë por ne mbështesim skuadrën tonë, Gjermaninë!

Merkel nuk kurseu batutën për Robin Gosens:

Me Mario Draghin mendojmë se gjermani Gosens, i cili luan për Atalanta-n është lojtar i shkëlqyer!