Aktualitet

Meloni përshëndet ratifikimin e marrëveshjes për emigrantët: Falënderoj kryeministrin Rama…

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar pasi parlamenti i Shqipërisë votoi sot protokollin e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e migracionit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meloni falenderon kryeministrin Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimit.

“Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Faleminderit kryeministrit Edi Rama, institucioneve dhe popullit shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin”- shkruan Meloni.

Në një seancë plenare me zhurmues dhe që për shkak të aksionit të grupeve Bardhi-Berisha zgjati vetëm 8 minuta,  me 77 vota u miratua marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët që pasi zbarkojnë në brigjet italiane mund të presin në dy qendra në zonën e Lezhës.

Marrëveshja mori edhe tre votat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU. Deputetja e kësaj partie, Mesila Doda iu referua Italisë si një shtet mik që e kemi pasur në krah dhe duhet t’i jemi në krah.

Ndërkohë me kërkesë të Partisë Socialiste, nga rendi i ditës u hoq votimi i Amnistisë Penale pasi nuk u arrit konsensusi me opozitën dhe miratimi kërkonte 84 vota. Duke komentuar këtë veprim, Gazment Bardhi tha se PS-ja u tërhoq se sipas tij, “nuk arriti dot pazarin”, si dhe hodhi sërish akuza se duan të amnistojnë ministra e kryetarë bashkish për të cilët u shpreh se janë “të korruptuar”. Një koment e pati edhe për miratimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke e quajtur “të turpshme”.

Ndërkaq, me 74 vota u miratua ligji “Për zonat e mbrojtura”. Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se sipas saj “Brukseli po përgatit një notë proteste për vendin tonë”. Ministrja Mirela Kumbaro hodhi poshtë akuzat e theksoi se do të ketë ndërtime strategjike, por me filtra strikte.