Banorët e lindur jashtë vendit përbëjnë gati 20% të popullsisë totale të Spanjës, por vetëm 8.9% në zonat rurale. Qeveria e majtë po i inkurajon emigrantët të ripopullojnë zonat rurale në rënie, ndërsa qytetet e saj po rëndohen nga fluksi i të ardhurve të rinj, gjë që e ka bërë vendin një rast të veçantë në Europë.
Pa imigracionin, Spanja rurale ka një të ardhme jashtëzakonisht të vështirë, tha Francesc Boya, zyrtari më i lartë i qeverisë për politikat demografike, i cili po mbikëqyr një strategji të re kombëtare për zonat e quajtura “Spanja e zbrazur”.
Kryeministri socialist, Pedro Sánchez ka shkuar kundër një zhvendosjeje më të gjerë në Europë drejt politikave kundër imigrantëve, ndërsa ruan një politikë të dyerve të hapura si përgjigje ndaj plakjes së popullsisë së Spanjës dhe rënies së fortë të lindshmërisë.
E vetmja mënyrë për të ruajtur ato që mund t’i quajmë piramida të qëndrueshme të popullsisë është duke sjellë banorë të rinj në zonat rurale, i tha Boya FT-së. Ndërsa disa prej këtyre banorëve të rinj mund të vijnë nga qytetet, shumë do të vijnë përmes imigracionit.
Në më pak se një çerek shekulli, popullsia e lindur jashtë Spanjës ka kaluar nga një në 20 banorë në pothuajse një në pesë, një përqindje më e lartë madje edhe se në SHBA.
Fluksi i punëtorëve emigrantë, kryesisht nga vendet e Amerikës Latine, ka ndihmuar që Spanja të bëhet ekonomia e përparuar me rritjen më të shpejtë në botë gjatë dy viteve të fundit.
Por, kjo po rrit kostot e banimit dhe po rëndon infrastrukturën dhe shërbimet publike në qytetet e mëdha, ankesa që partia populiste e djathtë Vox po i shfrytëzon.
Qeveria e Sánchez-it, në pushtet prej gati tetë vitesh, është vënë nën presion nga Vox dhe opozita konservatore për atë që ata e quajnë qasje të butë ndaj imigracionit të paligjshëm. Kritikat u shtuan pasi shpalli një amnisti të gjerë, që do t’u japë të paktën gjysmë milioni migrantëve të paautorizuar mundësinë për të marrë leje qëndrimi dhe pune.
Në zgjedhjet rajonale të së dielës në Andaluzia, rajoni më i populluar i Spanjës, Vox u bë vendimtar, me mundësinë për t’iu bashkuar një qeverie koalicioni me Partinë Popullore konservatore. Vox është zotuar të shtyjë përpara kërkesën për politika të “prioritetit kombëtar”, që vendosin spanjollët të parët.
Në shkurt, qeveria qendrore e udhëhequr nga socialistët prezantoi një strategji të re kombëtare për zonat rurale, që synon të ulë pabarazitë në shërbime, infrastrukturë dhe mundësi ekonomike.
Boya tha se qeveria nuk po kërkonte t’i detyronte njerëzit të largoheshin nga qytete si Madridi dhe Barcelona.
Kjo mund të tingëllojë si diçka nga një diktaturë. Të thuash: Mirë, tani do t’i zhvendosim njerëzit. Jo, sigurisht që jo. Por, qeveria është e prirur të inkurajojë njerëzit nga zonat urbane që për çfarëdo arsyeje, po përballen me vështirësi sepse strehimi është më i shtrenjtë në qytet dhe cilësia e jetës së të cilëve ndoshta do të përmirësohej ndjeshëm në zonat rurale.
Për ta arritur këtë synim, qeveria po financon nisma të ngritura nga këshillat rurale, kompanitë dhe grupet jofitimprurëse për të tërhequr emigrantë dhe për t’u ofruar atyre ndihmë, si kurse gjuhe dhe këshilla për shkollimin, kujdesin mjekësor dhe pagesën e faturave.
Boya përmendi shembullin e Villagatón-it, një bashki me pak më shumë se 600 banorë në rajonin Castilla y León, ku një fabrikë që prodhon çadra dielli dhe gardhe ka një fuqi punëtore që është 80% emigrantë nga Senegali, Gambia dhe Kolumbia.
Emigrantët prej kohësh kanë punuar në sektorin bujqësor të Spanjës jugore. Por, në Spanjën e brendshme, fshatrat janë zbrazur prej dekadash, ndërsa të rinjtë largohen dhe brezat e moshuar vdesin. Në shumë zona, shërbimet e autobusëve janë shkurtuar, shkollat janë mbyllur dhe vizitat e mjekëve janë bërë gjithnjë e më të rralla.
Ndërsa banorët e lindur jashtë vendit përbëjnë pothuajse 20% të popullsisë totale të Spanjës, ata përfaqësojnë vetëm 8.9% të popullsisë në bashkitë me dendësi të ulët banorësh. Që nga viti 2022, numri i banorëve të lindur jashtë Spanjës është rritur mesatarisht me 665,000 në vit, duke e çuar popullsinë totale të vendit në gati 50 milion.
Shkalla e lindshmërisë në vend, me 1.1 lindje për grua, është më e ulëta në BE pas Maltës. Spanja ka jetëgjatësinë më të lartë në BE, 84 vjeç.
Në një tjetër nismë të mbështetur nga qeveria, Fundación Raíces, një organizatë jofitimprurëse, po përpiqej të gjente punë për emigrantë të rinj dhe vulnerabël që jetojnë në qendra pritjeje shtetërore dhe po zgjeronte aktivitetin e saj drejt zonave rurale, përtej qyteteve, – tha Boya.
Shumat nga qeveria qendrore janë modeste: vitin e kaluar grantet për projekte të tilla arritën në total 52 milion euro. Sánchez ka thënë se këtë vit shifra do të rritet në të paktën 80 milion euro. Qeveria qendrore nuk mund të ofrojë stimuj tatimorë për njerëzit që të zhvendosen në zonat rurale, por qeveritë rajonale të Spanjës munden.
Të tjera projekte, përfshirë një të drejtuar nga fondacioni Talento 58, i lidhur me kishën, synojnë të gjejnë emigrantë të gatshëm të marrin në dorë furra buke, supermarkete dhe bare që përndryshe do të mbylleshin pasi pronarët e tyre dalin në pension.
Sapo kemi filluar, deklaroi Boya/Monitor