Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një polemikë me gazetarin e “Euractiv”, Eddy Wax, lidhur me intervistën e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
Ajo që nxiti reagime, kryesisht në Itali, ishte deklarata e Hoxhës se Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen për kampin e emigrantëve me Italinë përtej vitit 2030.
Deklarata e Hoxhës u përgënjeshtrua nga kryeministri Rama, i cili pretendoi për citim të pasaktë të kryediplomatit shqiptar nga ana e gazetarit.
Pas kësaj, gazetari i “Euractiv” në një shkrim me titullin ‘Edi kundër Eddyt’, shkruan se u habitën kur panë postimin e kryeministrit Rama, i cili sfidonte raportimin e tyre për intervistën e Hoxhën.
Gazetari Eddy Wax publikoi të plotë citimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë mbi çështjen e Gjadrit:
“Për sqarim, ja çfarë më tha Hoxha, fjalë për fjalë: Po ju them se pas pesë vitesh, sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale. Është territor i Bashkimit Evropian. Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian.”
Rama u përgjigj sërish me një postim në platformën ‘X’, duke shkruar se me publikimin e citimit të plotë “është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues”.
Postimi i Ramës:
“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddy”, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë, sepse së pari, unë nuk u ankova për Edi-n tjetër, dhe së dyti, tani që ti me bujari publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.
Por sinqerisht, aspak hatërmbetje. Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë. Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria.”.