Politikë

Meta: “SPAK-u të hetojë vjedhjen e të dhënave personale nga Partia Socialiste!”

Nga Pogradeci, Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi se i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë urgjent atë që e cilësoi “skandal i vjedhjes së të dhënave personale nga Partia Socialiste”.

Jam sot këtu për të bërë publike kërkesën drejtuar SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit, skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe të vjedhjes nga Partia Socialiste të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dhëna që mbrohen nga ligji. Ka qenë një shkelje e poshtër e çdo norme dhe morali për të vendosur bazën e të dhënave personale të Shqipërisë në dispozicion të një partie politike, të asaj që ka kapur shtetin dhe që nuk pranon të lërë pushtetin. Dhe për këtë arsye përdor forma të poshtra që u bën presion shqiptarëve dhe u keqpërdor të dhënat për intimidimin dhe frikësimin e tyre.

Një ditë më parë, ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj denoncoi Partinë Socialiste se sipas tij ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë duke shkelur privatësinë e tyre, çka është vepër penale.

Në selinë e PS-së janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë e përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime zgjedhore.

Për akuzat e demokratëve reagoi Partia Socialiste përmes Taulant Ballës.

Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Kjo punë bëhet me kontakte direkte, jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve, aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!

Akuzat e PD-së i hodhi poshtë edhe platforma e-Albania.

Akuzat janë të pabaza. Në asnjë moment, platforma nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetarëve por është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.