Mirlind Daku shënoi golin e dytë për Shqipërinë por vëmendjen e mori tatuazhi i veçantë i tij!

Fitorja e mbrëmshme me Poloninë përveç entuziasmit mëse të justifikuar për pjesën që na afron më shumë me Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani, shënohet edhe për momentet historike. Kuqezinjtë fituan denjësisht falë supergolave të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut. Daku shënoi golin e dytë për Shqipërinë, ndaj Polonisë në minutën e 60’ të lojës. Ai festoi golin duke hequr bluzen dhe të gjithë vëmendjen e mori tatuazhi i tij.

Mirlindi ka gdhendur në trup fjalën ‘Katana 138’, nofka e komandantit legjendar të UÇK-së Agim Ramadani si dhe piramidën e rrëzuar të kufirit shqiptaro-shqiptar. Beteja e Koshares njihet edhe si beteja ku u thye kufiri. Në shenjë simbolike, ushtarët e UÇK rrëzuan gurin e Kufirit që ndante Kosovën me Shqipërinë.