Bota

Nata e 5-të e dhunës në Francë, qindra arrestime/Revolta “infekton” dhe Zvicrën!

Nata e pestë e dhunës dhe trazirave në Francë, pas vrasjes së një 17-vjeçari të pa’armatosur nga një efektiv policie, në Nonter, jo shumë larg Parisit. Për momentin njoftohen 486 arrestime në Paris, Marsejë, Lion e Nisë. Vetëm në kryeqytet u ndaluan 194 vetë. Bilanci jepet nga Ministria e Brendshme franceze, ndërsa foli për “një natë më të qetë, falë veprimit të vendosur të policisë”.

Kryeministrja Borne: Mbështetje të plotë për policinë!

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin ndoqi zhvillimin e situatës nga qendra komanduese në Paris, aty ku iu  bashkua dhe kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, e cila u shpreh:

Kam ardhur për t’i rikonfirmuar policisë mbështetjen time të plotë, si dhe atë të qeverisë.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron vendosi të shtyjë vizitën shtetërore në Gjermani, për shkak të situatës.

Natë e qetë në Nonter, gjykata përforcohet me masa sigurie

Ka qenë një natë e qetë në Nonter, ku iu dha lamtumira e fundit 17-vjeçarit Nahel, i cili u vra në një postbllok të policisë nga një oficer që i drejtoi armën e shërbimit. Edhe në kompleksin rezidencial Pablo Pikaso ku jetonte i riu Nahel situata ka qenë e qetë. Pak më tej, jo shumë larg vendit ku banonte, ende gjenden rrënojat e disa makinave të djegura e që akoma nuk janë hequr. Shtatë furgona policie rrethuan gjykatën. Si përforcim u dërgua dhe një grup policësh nga Normandia.

Një konçensionari makinash Renault iu vu flaka në qytetin francez Brest e që nuk është kursyer nga episodet e dhunës. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për të lokalizuar dhe shuar zjarrin. Trazira pati në departamentin Finistér, në rajonin Bretanj, në bregun perëndimor të Francës. Po ashtu, protestuesit hodhën mjete piroteknike ndaj policisë.

Ndërkaq, revolta franceze “infektoi” Zvicrën ku pati përleshje në qendër të Lozanës. Në lagjen Flon u shënuan akte dhune e grabitje në dyqane.  Rreth 200 persona u përballën me policinë që hyri në aksion për t’i shpërndarë e rikthyer qetësinë në qytet.