Bota

I nxehti “mbyt” Francën, 7 viktima!

Franca sot raportoi shtatë vdekje, përfshirë të paktën pesë mbytje, të lidhura me valën e të nxehtit që ka përfshirë pjesë të Evropës në ditët e fundit, sipas qeverisë.

Ajo që mund të them sot është se duket se ka shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me të nxehtin, tha zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon për televizionin TF1.

Vala e të nxehtit vazhdon dhe pritet të intensifikohet.

Tetë departamente në Francën perëndimore u vunë nën paralajmërim portokalli për valë të nxehti sot, e para për muajin maj.

Viktimat u mbytën në departamente të ndryshme franceze.

Një person vdiq gjatë një aktiviteti sportiv në Paris dhe një tjetër në rrethana të ngjashme pranë Lionit. Dy persona humbën jetën, të rrëmbyer nga rrymat e detit, tipike për bregdetin e Atlantikut.

Nxehtësia e jashtëzakonshme po prish rutinat në zonat turistike dhe bregdetare, me plazhe të mbushura me njerëz, por pa mbikëqyrje. Shërbimet e rojave bregdetare nuk do të fillojnë deri më 6 korrik.