Ka një bilanc të ri të të arrestuarve në Francë, pas trazirave që përfshinë vendin për të katërtën natë radhazi, në shenjë zemërimi për vrasjen nga policia të një 17-vjeçari të pa’armatosur. Në orët e para të ditës, Ministria e Brendshme e Francës njoftoi 994 arrestime gjatë natës, por më vonë, qeveria e korrigjoi numrin, në 1 mijë e 311.
Në Francë, muaji nisi me makina e ndërtesa të djegura dhe dyqane të grabitura. Qeveria sugjeroi se protestat kishin filluar të qetësoheshin falë masave më të ashpra të sigurisë, por dëme janë raportuar kudo, madje dhe në territore si në Guajanën Franceze, ku një 54-vjeçar ndërroi jetë nga një plumb qorr.
Ekipi kombëtar i futbollit, përfshirë yllin Kylian Mbappe, një idhull për shumë të rinj në lagjet ku zemërimi është më i madh, kërkoi t’i jepet fund dhunës.
Shumë prej nesh vijmë nga lagjet e klasës punëtore. Edhe ne ndajmë këtë ndjenjë dhimbjeje e trishtimi. Dhuna nuk zgjidh gjë. Ka të tjera mënyra paqësore dhe konstruktive për të shprehur veten.
Vrasja e Nahelit nxiti tensione mes policisë e të rinjve që luftojnë me varfërinë, papunësinë dhe diskriminimin racor. Këto trazira janë më të mëdhatë që ka parë Franca në vite dhe e vënë nën presion presidentin Emmanuel Macron.
Macron u bëri thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët larg rrugëve, ndërsa fajësoi rrjetet sociale për nxitjen e dhunës.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, zjarrfikësit në Nanterre po shuanin zjarret e ndezura nga protestuesit nëpër rrugë. Në Colombes, protestuesit përmbysën kazanët e plehrave dhe i përdorën si barrikada. Disa persona hynë e grabitën në një dyqan armësh dhe u larguan të armatosur në Marsejë. Zyrtarët policorë në Marsejë arrestuan gati 90 persona.
Ndërtesa e biznese u vandalizuan edhe në qytetin lindor të Lionit, ku një e treta e rreth 30 arrestimeve ishin për vjedhje. Autoritetet raportuan për zjarre në rrugë pasi një protestë e paautorizuar grumbulloi më shumë se 1 mijë njerëz mbrëmjen e djeshme.
Mbi 1.300 arrestime u bënë gjatë natës, me më shumë se 2.500 zjarre të regjistruara. 2.000 automjete u dogjën dhe dhjetëra dyqane u plaçkitën.
Qindra policë dhe zjarrfikës janë plagosur, përfshirë 79 gjatë natës së fundit, ndërsa autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna sa protestues kanë mbetur të lënduar. Por, Macron nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, një opsion që ishte përdorur në rrethana të ngjashme në vitin 2005.
Në vend të kësaj, qeveria rriti reagimin e zbatimit të ligjit, me 45.000 policë të dislokuar gjatë natës. Disa u thirrën të kthehen në punë gjatë kohës që ishin me pushimet vjetore.
Ministri i Brendshëm, Darmanin ka paralajmëruar platformat digjitale, të mos lejojnë të përdoren si kanale për thirrje për dhunë.
Ne do të ndjekim çdo person që përdor këto rrjete sociale për të kryer akte të dhunshme.
Nëna e Nahelit, e identifikuar si Mounia M, i tha televizionit France 5 se ishte e zemëruar me efektivin që i vrau të birin, por jo me policinë në përgjithësi.
Ai pa një fëmijë të vogël me pamje arabe, donte t’i merrte jetën. Një oficer policie nuk mund ta marrë armën dhe të qëllojë mbi fëmijët tanë, të marrë jetën e fëmijëve tanë.
Familja e saj ka prejardhje nga Algjeria. Pas vrasjes së Nahelit, aktivistët francezë kundër racizmit shtuan ankesat për sjelljen e policisë.
Trembëdhjetë persona që nuk respektuan ndalimet e trafikut u qëlluan për vdekje nga policia franceze, vitin e kaluar. Këtë vit, tre të tjerë, përfshirë Nahelin, vdiqën në rrethana të ngjashme. Vdekjet kanë nxitur kërkesa për më shumë përgjegjësi në Francë.
Protestat e kësaj jave i bëjnë jehonë trazirave trejavore të vitit 2005 që pasuan vdekjen e 15-vjeçares Bouna Traore dhe 17-vjeçares Zyed Benna, të goditura nga energjia elektrike teksa fshiheshin nga policia në një nënstacion elektrik në Clichy-sous-Bois.