Rajoni

Ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit!

Shtetet e QUINT-it sërish i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë. Pjesë e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Sot mbushen gjashtë vjet nga dita kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Ky vendim nuk po zbatohet, edhe pse se është i detyrueshëm. Në reagimin e QUINT-it thuhet:

Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike.

Vendimi i Kushtetueses i vitit 2016 kundërshtohet nga pushteti lokal në Deçan, që refuzon ta zbatojë, duke pretenduar se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” e “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e Manastirit të Deçanit. Gjithashtu, autoritetet lokale në Deçan besojnë se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviçit të vitit 1997, kur vendosi t’i dhurojë pronën, Manastirit të Deçanit.

Më 4 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë në vitin 1997”.

Qeveria do të përpiqet të ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre e të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me banorët në Deçan.

Sot reagoi edhe Dioqeza e Rashkës e Prizrenit, duke shprehur shqetësim për “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.

Deklaratat e papërgjegjshme dhe provokuese të zyrtarëve në Prishtinë, nuk i kontribuojnë stabilitetit e pajtimit në Kosovë, si dhe inkurajojnë mostolerancën etnike e fetare ndaj Kishës Ortodokse Serbe.

Për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese reagoi gjithashtu drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili tha se “nuk ka sundim të ligjit në institucionet e Prishtinës”. Edhe në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, që u publikua në prill të këtij viti, u vu në dukje refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin.