Bota

Ndotja e ajrit në nivele ekstreme, India lëshon alarmin, mbyllen shkollat e kufizohet qarkullimi!

India po përballet me një tjetër situatë problematike, krahas pandemisë COVID.

Në Delhi shkollat janë mbyllur për një javë për shkak të smogut.

Vendimi është njoftuar nga kreu i qeverisë së shtetit indian Arvind Kejriwal.

“Institucionet nuk do të hapen për të parandaluar rrezikun me të cilën mund të përballen fëmijët për shkak të ajrit të ndotur”, ka thënë ai.

Bordi Qendror i Kontrollit të Ndotjes (CPCB) tha se përqendrimi mesatar në 24-orë i grimcave të imëta dëmtuese të mushkërive të njohura si PM2.5 në Delhi-NCR kaloi shifrën 300  dhe qëndroi në 381 mikrogramë për metër kub në orën 16:00 të premten. Kjo shënon  gjashtëfishin e kufirit të sigurt prej 60 mikrogramë për metër kub.

Pas shqyrtimit të situatës, Ministria e Shëndetësisë tha se: “Qeveria, zyrat private dhe institucionet e tjera këshillohen të reduktojnë përdorimin e automjeteve me të paktën 30 për qind (duke punuar nga shtëpia, duke shtuar  aktivitetet në terren etj). Njerëzit këshillohen për të kufizuar aktivitetet në natyrë dhe për të minimizuar ekspozimin e tyre.